Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj njëzetetre (23) të pandehurve, pas katër seancave dëgjimore të mbajtura sot me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar, gjykata ka vendosur që ndaj 21 të pandehurve të caktohet paraburgim prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Ndaj një të pandehureje tjetër është caktuar po ashtu paraburgim njëmujor nën dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit dhe marrje ryshfeti.
Po ashtu, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji edhe ndaj një të pandehuri tjetër, në cilësinë e vëzhguesit, i cili dyshohet për kanosje dhe dhënie të ryshfetit.
“Njëzetenjë (21) të pandehurve, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.
Ndaj një (1) të pandehure, A.V.,, i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 të KP-së, dhe marrja e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 të KP-së.
Ndaj një (1) të pandehuri G.P., (në cilësinë e vëzhguesit) i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KP-së, dhe Dhenia e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 te KP-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
