Lajme Shqipëri

35 mijë dollarë për të kaluar ilegalisht drejt SHBA-ve me dokumente false, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 6 persona

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit H.M., L.M. C.N., A.P., A.M. dhe E.N. për veprat penale ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave’, ‘Falsifikim i dokumentit’ si dhe ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’ parashikuar nga nenet 186/2, 189/2, dhe 293/a/2 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.2812, 2025, të nisura mbi bazën e materialeve të referuara nga Departamenti i Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Diplomatik/ Zyra për Hetimet kriminale jashtë SHBA-së, rezultoi se shtetasi A.H., së bashku me disa shtetas te tjerë shqiptarë janë kontrabanduar në rajonin e Karaibeve, me qëllim më pas për të kaluar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas të dhënave, personi i dyshuar që ka organizuar këtë aktivitet është shtetasi shqiptar H.M. alias A. M., i hetuar më parë me të njëjtin aktivitet të kontrabandës njerëzore.

Të dhënat tregojnë se ky shtetas u ka kërkuar të paktën tre shqiptarëve që për t’i dërguar në Amerikë dhe Kanada të paguajnë çmimin prej 35.000 dollarësh. Internerari që ndjek ky shtetas për të kontrabanduar njerëz fillon nga Shqipëria ku rektrutohen dhe më pas nga vendet e Europës drejt Republikës Domenikane, e prej andej me dokumenta false drejt Kanadasë ose nëpërmjet Porto Rikos duke përdorur dokumenta udhëtimi false për në Florida ose në shtete të tjera të ShBA-së.

Nga hetimet, rezultoi e provuar se shtetasi H.M. ka pajisur me dokumenta të falsifikuara disa shtetas shqiptarë për t’u larguar në mënyrë të paligjshme drejt SHBA-së dhe ka konsumuar elementet e veprës penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 186, 189 dhe 298 të K.Penal, e provuar në disa raste. Po ashtu nga interceptimet telefonike është provuar se shtetasi H. M., gjatë kohës që është duke u hetuar me masë sigurie “Arrest në burg” nga ambjentet e paraburgimit të Fushw-Krujës ka përdorur dy numra të ndryshëm për të komunikuar me familjarët e tij, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” më shumë se një herë, parashikuar nga neni 324/a/2 i K.Penal.

Nga veprimet e kryera janë mbledhur prova se edhe shtetasja L.M., është e përfshirë në aktivitetin e bashkëshortit të saj me veprime konkrete si në shoqërimin në udhëtimin e tyre për në Republikën Domenikane si dhe duke përfshirë në bashkëpunim edhe vëllain e saj A.P., në marrjen e porosive nëpërmjet linjave të udhëtimit Tropojë -Tiranë. Ajo ka konsumuar veprën penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 186, 189 dhe 298 të K.Penal.

Nga kqyrja e të dhënave telefonike, është provuar se shtetasi E.N. i punësuar pranë agjencisë turistike, ka ndihmuar duke i vënë në disposicion foto të dokumentave të dy shtetasve të huaj, me qëllim që shtetasi H.M., ky i fundit të mundësojë kalimin e shtetasve të ndryshëm duke përdorur dokumenta model. Mënyrë kjo, e përdorur në disa raste nga shtetasi H. M., janë konsumuar elementët e veprës penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” parashikuar nga neni 298 të K. Penal.

Po kështu shtetasi A.P., në bashkëpunim me të afërmit e tij me veprime konkrete ka marrë dokumenta të falsifikuara që do të mundësonin kalimin në mënyrë të kundërligjshme të një shtetasi duke konsumuar elementët e veprave penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 186, 189 dhe 298 të K. Penal.

Ndërsa shtetasi C.N., duke qenë shofer automjeti ka mundësuar transportin e dokumentave të falsifikuara duke konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikim i leternjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” parashikuar nga neni 186 dhe 189 të K. Penal kryer në bashkëpunim.

Shtetasi A.M., duke i vënë në dispozicion të hetuarit H. M., të dhënat e pasaportës/pasaportën e tij Britanike si model për të prodhuar dokumenta të tjera të falsifikuara, për të bërë të mundur një mënyrë më të sigurtë kalimi për shtetas të tjerë për të ikur në Kanada dhe me këto veprime ka konsumuar elementët e veprës penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 298 të K. Penal.

Sa më sipër, në mbështetje të nenit 331 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi dërgimin në gjyq e të pandehurve:

H.M., akuzuar sipas neneve 186/2, 189/2, 298/3 dhe 324/a/2 të K.Penal;
L.M.., akuzuar sipas neneve 186/2, 189/2, 298/3 të K.Penal;
A.P., akuzuar sipas neneve 186/2, 189/2, 298/3 të K.Penal;
C.N., akuzuar sipas neneve 186/2, 189/2 të K.Penal;
A.M., akuzuar sipas nenit 298/3 të K.Penal; dhe
E.N., akuzuar sipas nenit 298/3 të K.Penal.