Strategjia e re Kombëtare e Mbrojtjes e Pentagonit shënon një ndryshim të rëndësishëm në prioritetet strategjike të Shteteve të Bashkuara, duke e ulur Kinën nga pozita e kërcënimit kryesor dhe duke e zhvendosur fokusin drejt mbrojtjes së territorit amerikan dhe Hemisferës Perëndimore.
Dokumenti kritikon administratat e mëparshme për neglizhimin e interesave strategjike amerikane në rajone kyçe si Panamaja dhe Grenlanda, duke theksuar nevojën për një angazhim më të drejtpërdrejtë në këto zona.
Në strategji thuhet se, ndonëse Evropa mbetet një partner i rëndësishëm, pesha e saj në ekonominë globale është në rënie, çka e bën atë më pak prioritare në krahasim me rajone të tjera.

Kina vazhdon të shihet si një faktor shqetësues për sigurinë globale, por nuk konsiderohet më kërcënimi kryesor.
Strategjia thekson se SHBA duhet të “prioritizojë mbrojtjen e territorit amerikan dhe frenimin e Kinës”, duke reflektuar një qasje më të përqendruar në sigurinë kombëtare, shkruan politico.
Ndërkohë, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut përmenden në dokument, por nuk zënë një rol qendror, duke u përshkruar si kërcënime më pak të theksuara në krahasim me sfidat kryesore strategjike.
Strategjia e re Kombëtare e Mbrojtjes të SHBA-së
Prioritet strategjik:
Frenimi i Kinës dhe mbrojtja e territorit të SHBA-së.
Rusia:
Vazhdon të përbëjë një kërcënim të menaxhueshëm për anëtarët lindorë të NATO-s.
Ruhet aftësia e saj ushtarake dhe industriale, dhe tregon gatishmëri për luftë të zgjatur pranë kufijve.
Aleatët e NATO-s janë më të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht se Rusia; hendeku është i madh (p.sh., ekonomia e Gjermanisë tejkalon atë të Rusisë).
Aleatët e NATO-s do të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e Evropës, ndërsa SHBA-ja do të kufizojë rolin e saj në mbështetje kritike dhe adaptim të forcave për të përballuar kërcënimin rus.
Ukraina dhe Evropa:
Aleatët evropianë do të marrin rolin udhëheqës në mbrojtjen e Ukrainës.
SHBA-ja do të vazhdojë të luajë një rol kyç brenda NATO-s, por fokusi kryesor do të jetë mbështetja strategjike dhe operative.
Pozicione strategjike globale:
Grenlanda, Kanali i Panamasë dhe Arktiku mbeten nyje kyçe për interesat strategjike të SHBA-së.
Irani dhe kërcënimet rajonale:
Regjimi iranian rrit kapacitetet e tij dhe mund të ndjekë sërish rrugën e krijimit të armës bërthamore.
Përbën kërcënim ndaj SHBA-së, Izraelit dhe stabilitetit rajonal.
