Kosovë Lajme Politikë

109 të arrestuarve që dyshohen për manipulim të votave sot pritet t’u caktohet masa e sigurisë

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se sot nga ora 14:00, do të zhvillohen seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë për rastin e ndalimit të 109 personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit.

Sipas Gjykatës, ky njoftim vlen vetëm për oraret e seancave dëgjimore, ndërsa procesi i pranimit të kërkesave nga Prokuroria Themelore Prizren për caktimin e masës së sigurisë ende nuk ka përfunduar.

Numri përfundimtar i kërkesave dhe personave për të cilët do të kërkohet masa e sigurisë nuk është ende i përcaktuar.

Gjykata thekson se seancat dëgjimore janë caktuar për të siguruar organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, ndërsa hetimet vazhdojnë.