‘Qendra’ e manipulimeve me votat e 28 dhjetorit po del të jetë Prizreni. Kjo komunë është veçuar si rasti më ekstrem, që e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vendos për rinumërim total në gjithë vendin.
Rasti që deri më tash ka pasur më së shumti mospërputhje është te kandidati i PDK-së, Fetah Paçarizi, të cilit i janë hequr edhe më shumë vota – ndërsa procesi i rinumërimit ka mbërritur në gati 50% në nivel vendi.
Aktualisht, bazuar në të dhënat e KQZ-së, Paçarizi ka 6 mijë e 750 vota. Pra nga përditësimet e kaluara, kur kishte 6 mijë e 28 vota më pak, tashmë ky numër është rritur.

Vet kandidati kishte reaguar pas këtyre zhvillimeve që kanë bërë bujë javët e fundit, duke e cilësuar situatën si serioze dhe shqetësuese. Ai kishte kërkuar rinumërim të plotë me arsyetimin se vetëm transparenca e plotë mund të qartësojë çfarë ka ndodhur dhe të rikthejë besimin e qytetarëve.
“Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore,” kishte shkruar ai para disa ditësh, duke insistuar se çdo parregullsi duhet të sqarohet deri në fund dhe secili person përgjegjës duhet të përballet me ligjin.
Për gjithë skandalin me manipulime votash, ka folur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Ai u tregua goxha i ashpër me bashkëpartiakët e tij dhe theksoi se nëse faktohet vjedhja e votave brenda partisë, si akt moral, kandidatët për deputetë nuk duhet ta pranojnë mandatin.
“Ti mundesh me i pasë 50 mijë vota, 100 mijë vota, por nëse të janë shtuar votat, konstatohet edhe faktohet se ti je pjesë e saj, nuk mund të thuash ti se unë edhe pa këto vota bëhem deputet”, deklaroi Hamza në Klan Kosova.
