Kosovë Kronikë Policore Lajme

Një komisioner vendosi të bashkëpunojë me Prokurorinë, tregoi për dhënie e marrje ryshfeti për manipulim votash

109 persona janë arrestuar lidhur me dyshimet për manipulim me vota në komunën e Prizrenit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka thënë se 109 persona janë ndaluar lidhur me manipulimin e votave, derisa ka theksuar se katër partitë kryesore në vend “i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar se larg syve të drejtësisë mund të manipulojnë”.

Kryeziu tha se bëhet fjalë për mijëra vota të falsifikuara. Ai tha se vetëm një vendvotim në Prizren ka rezultuar i pastërt. Ai shtoi se në Prizren diferenca totale e keqpërdorimeve është 68 mijë e 17 vota.

Prokuroria Themelore ka zbuluar edhe raste të përfshirjes në veprën penale “dhënie e marrje të ryshfetit”.

Për veprën penale marrje dhe dhënie ryshfeti, Kryeziu bëri me dije se kishte vetë një komisioner që kishte bashkëpunuar.

“Pjesa që ka të bëjë me dhënie e marrje të ryshfetit është zbuluar sot kur njëri prej komisionerëve veçse ka vendosur të bashkëpunojë me Prokurorinë. Ata që janë të dyshuar dhe të pandehur mund të marrin dhe cilësinë e dëshmitarëve bashkëpunëtorë”, tha ai.