Aksioni i Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj dyshimeve për manipulim të votave ka marrë jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare.
Ditën e sotme, autoritetet e Kosovës kanë ndaluar 109 persona, kryesisht komisionerë të përfshirë në procesin e numërimit të votave, nën dyshimet për ndërhyrje dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore.
Lidhur me këtë ngjarje kanë raportuar disa nga mediat më të njohura botërore, raporton KFVAgency.com
Agjencia Reuters e ka cilësuar rastin si një “turp i madh” për Kosovën, duke theksuar se vendi, si shtet i ri, synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Reuters raporton gjithashtu se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se hetimet fillestare për këtë çështje kanë nisur rreth dy javë më parë.
Edhe media amerikane ABC News i ka kushtuar vëmendje arrestimeve, duke raportuar se autoritetet në Kosovë kanë arrestuar mbi 100 persona për manipulim të fletëvotimeve gjatë zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.
Sipas ABC News, ky zhvillim ka rritur shqetësimet se kriza politike njëvjeçare në Kosovë mund të zvarritet edhe më tej.
Jehonë arrestimeve u kanë dhënë edhe mediat gjermane, duke i cilësuar hetimet si një test serioz për integritetin e procesit zgjedhor dhe për sundimin e ligjit në Kosovë.
Ndërkohë, media franceze Le Monde ka raportuar se në Kosovë janë kryer rreth njëqind arrestime për “falsifikim të rezultateve zgjedhore”.
Sipas Prokurorisë së Prizrenit, më shumë se 68 mijë fletëvotime dyshohet se janë përvetësuar gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat u fituan nga partia e kryeministrit në largim, Albin Kurti. Në mes të muajit janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte urdhëruar rinumërimin e plotë të votave.
Edhe agjencia italiane ANSA ka raportuar se Kosova ka arrestuar mbi 100 komisionerë zgjedhorë për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve, duke theksuar se hetimet janë ende në vazhdim.
Autoritetet kosovare kanë deklaruar se veprimet po ndërmerren për të garantuar transparencë, zbardhje të plotë të rastit dhe ruajtje të integritetit të procesit zgjedhor, ndërsa pritet që drejtësia të zgjerojë hetimet edhe në komuna të tjera ku rinumërimi ka nxjerrë parregullsi.
