109 persona janë arrestuar lidhur me dyshimet për manipulim me vota në komunën e Prizrenit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka thënë se 109 persona janë ndaluar lidhur me manipulimin e votave, derisa ka theksuar se katër partitë kryesore në vend “i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar se larg syve të drejtësisë mund të manipulojnë”.
Kryeziu tha se bëhet fjalë për mijëra vota të falsifikuara. Ai tha se vetëm një vendvotim në Prizren ka rezultuar i pastërt. Ai shtoi se në Prizren diferenca totale e keqpërdorimeve është 68 mijë e 17 vota.
Kryeziu në konferencën për media tha se do të ishte e pamundur të bëhet ky manipulim i votave po të mos kishte dakordim të të gjithë komisionerëve të katër partive kryesor.
“Sot secili prej atyre që ka guxuar ti fus duart në vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit. Këtu bëhet fjalë për manipulime brenda llojit, aty ku katër subjektet kryesore politike i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe kanë menduar se mund të manipulojnë. Këtu nuk bëhet fjalë për dhjetëra e qindra, por mijëra vota të manipuluara e falsifikuara. Ka kandidatë që kanë deri mbi 6 mijë vota të falsifikuara. Vetëm në një vendvotim janë manipuluar 244 vota, përderisa në regjionin tonë mund të them se është vetëm një klasë që ka dalë e pastërt. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68 mijë e 17 vota. Po flasim për një organizim për ta përmbytur rezultatin e vullnetin e qytetarëve. Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin këto vota po të mos kishte vullnet të të gjithë komisionerëve të deleguar nga partitë”, tha ai.
