Kosovë Kronikë Policore Lajme

Familjarë e të afërm të kandidatëve në mesin e 109 të arrestuarve për vjedhje të votave në Prizren

109 persona janë arrestuar lidhur me dyshimet për manipulim me vota në komunën e Prizrenit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka thënë se 109 persona janë ndaluar lidhur me manipulimin e votave, derisa ka theksuar se katër partitë kryesore në vend “i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar se larg syve të drejtësisë mund të manipulojnë”.

Kryeziu tha se bëhet fjalë për mijëra vota të falsifikuara. Ai tha se vetëm një vendvotim në Prizren ka rezultuar i pastërt. Ai shtoi se në Prizren diferenca totale e keqpërdorimeve është 68 mijë e 17 vota.

Në mesin e të arrestuarve sipas Kryeziut ka edhe pjesëtarë të subjekteve politike, po ashtu edhe familjarë të disa kandidatëve për deputetë.

“Ne ditën e sotme kemi ftuar 121. Në mesin e këtyre një pjesë nuk janë, por një pjesë janë të pafajshëm. Ne nuk jemi të interesuar për të pafajshmit, por aty ku ka prova të veprojmë. 5 janë liruar dhe 109 janë ndaluar. Ka edhe prej tyre që nuk i janë përgjigjë ftesës.

“Ata janë edhe pjesë e subjekteve politike, por ka edhe prej tyre që janë familjarë dhe për ata që ne kemi pasë informata dhe që i kemi çuar në stacion policor, ka tani edhe vendime për ndalim”, tha Kryeziu.