Kosovë Lajme Politikë

Dyshimet për manipulim me vota në Prizren, Prokuroria konfirmon aksionin

Prokuroria Themelore në Prizren është duke e zhvilluar një aksion në lidhje me manipulimin me vota për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Fitore Mehmeti.

“Po, mund ta konfirmoj se është duke u zhvilluar një aksion lidhur me dyshimet për manipulim me vota. Për momentin nuk mund te japim detaje tjera pasi rasti është në procedurë”, tha Mehmeti.

Ditë më parë kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë

Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.

Rreth 140 komisionerë ishin të angazhuar gjatë numërimit të votave në Prizren.