109 persona janë arrestuar lidhur me dyshimet për manipulim me vota në komunën e Prizrenit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka thënë se 109 persona janë ndaluar lidhur me manipulimin e votave, derisa ka theksuar se katër partitë kryesore në vend “i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar se larg syve të drejtësisë mund të manipulojnë”.
I pyetur se a ka ndonjë kandidat për deputet të intervistuar, apo ndaluar sot, Kryeziu tha se në këtë fazë nuk kanë ndonjë informacion që e involvon drejtpërdrejt ndonjë kandidat në ndërhyrje, por tha se të njëjtit do të dëgjohen në Prokurori, meqë shumica prej tyre janë shprehur edhe të dëmtuar.
“Ne deri në këtë fazë jemi duke vepruar ndaj atyre që drejtpërdrejt kanë keqpërdorën votën. Ata kanë vendosur nënshkrimet e tyre dhe është e tyre që të bashkëpunojnë me ne. Deri më tani nuk kemi ndonjë informacion që e involvon drejtpërdrejt ndonjë kandidat në ndërhyrje, mirëpo unë besoj që edhe kandidatët do të dëgjohen edhe në prokurori edhe nëse nuk arrijmë të sigurojmë prova në cilësi të të dyshuarve, padyshim që ne i kemi dëgjuar edhe deklaratat e tyre mediale që ata ndihen edhe të dëmtuar, kështu që prokuroria besoj t’ua japë këtë mundësi që të dëgjohen në cilësinë e të dëmtuarve dhe ta thonë sy më sy. Do të jemi pakompromis ndaj kujtdo që ka prova për të ndërmarrë veprime”, tha Kryeziu në konferencën për media.
