Një vit më parë Donald Trumpi ishte betuar për mandatin e tij të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Revista e njohur “The Economist” kishte parashikuar se mandati i dytë do të jetë edhe më i keq sesa i pari.
“Ky ishte nënvlerësim. Trumpi lëshoi granata në rendin botëror që Amerika ndihmoi ta ndërtonte pas Luftës së Dytë Botërore, shpërtheu edhe sistemin tregtar të bazuar në rregulla dhe prishi aleancat”, vlerëson revista në një analizë të veten rreth rënies së përkrahjes nga amerikanët për Trumpin.
“Në shtëpi [SHBA], presidenti dhe aleatët e tij thyen normat dhe kundërshtuan armiqtë e tre në Kongres, burokracinë, gjykatat, universitetet, mediat dhe kjo ndodh i edhe në rrugë”, shkruan “The Economist”.
Amerikanët, sipas revistës, nuk duken të lumtur për Trumpin.
Në fillim të mandatit të tij të dytë, përkrahja për të kishte notën 2. Tani ka rënë në minus 19. Është vlerësimi më i ulët gjatë këtij mandati.
Në javën e parë të mandatit, 37 për qind e amerikanëve besonin se vendi i tyre është në drejtimin e duhur, ndërkaq 50 për qind mendonin se ishte në rrugën e gabuar. Tani këta numra janë në 31 për qind dhe 61 për qind respektivisht.
“Amerikanët gjithashtu janë të pakënaqur me shifrat e Trumpit për dy premtimet kryesore të fushatës: uljen e inflacionit dhe fundin e migrimit të jashtëligjshëm. Përkrahja për menaxhimin e inflacionit dhe çmimeve ka rënë nga 6 në minus 27 pikë brenda një viti. Dhe ani pse imigracioni ka rënë, përkrahja për politikat e tij rreth kësaj çështjeje ka rënë nga 11 pikë në muajin shkurt në minus 7 tani”, vlerëson “The Economist”.
Revista ka analizuar përkrahjen shtet pas shteti. Përkrahja për Trumpin në secilin shtet që ka tendenca të votojë demokratët, është e ulët dhe është e lartë në ato ku votohen republikanët.
Kjo analizë tregon se republikanët janë të shqetësuar për përkrahjen sepse do të kenë garë të nxehtë në zgjedhjet afatmesme të këtij viti.
