Kosovë Lajme Politikë

Ngrihet aktakuzë ndaj personit që grisi dy fletëvotime në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj M.A., i cili kishte grisur dy fletëvotime në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Rasti pati ndodhur në një shkollë Shtime.

Ai po akuzohet për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Ferizaj:

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e paraparë me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.