Lajme Sport

Infantino mbron çmimet e biletave të Botërorit 2026

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka shkaktuar reagime me një shaka ndaj tifozëve britanikë gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku njëkohësisht mbrojti edhe çmimet e larta të biletave për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Duke iu referuar Botërorit 2022 në Katar, Infantino tha: “Kur topi filloi të rrotullohej dhe magjia nisi, pothuajse nuk pati asnjë incident. Për herë të parë në histori, asnjë britanik nuk u arrestua gjatë një Kupe Bote. Imagjinoni! Kjo është diçka vërtet e veçantë”.

Ai shtoi se edhe Botërori i ardhshëm do të jetë një festë e madhe: “Do të jetë një celebrim, një festë. Njerëzit duan të mblidhen, të festojnë dhe kjo është ajo që ne u ofrojmë”.

Infantino i quajti finalet e vitit 2026 “festën më të madhe të njerëzimit”, pavarësisht shqetësimeve të grupeve për të drejtat e njeriut lidhur me politikat e administratës amerikane.

Sa i përket kritikave për çmimet e biletave, Infantino pranoi se ato janë të larta: “Biletat nuk janë të lira. U kritikova shumë për këtë”.

Megjithatë, ai theksoi interesimin e jashtëzakonshëm: mbi 500 milionë kërkesa për bileta, me SHBA-në, Gjermaninë dhe Anglinë në krye të listës. Sipas tij, çdo ndeshje do të jetë e shitur plotësisht, ndërsa shumë bileta pritet të rishiten me çmime edhe më të larta.

Në fund, Infantino mohoi zërat se tifozë nga disa vende mund të refuzohen për viza, duke siguruar se: “Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika do ta mirëpresin botën”.