Kosovë Kronikë Policore Lajme

Vrasja e para afro 25 vitesh në Prishtinë ku akuzohen tre persona, propozohen prova të reja

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është dhënë fjala përfundimtare në rigjykimin për vrasjen e ndodhur në vitin 2001.

Në këtë rast, Hamdi Mavriqi, Labeat Kastrati e Fahri Kajtazi po akuzohen për rastin e vrasjes së A.M., në vitin 2001 në lokalin “Inter Klub” në Prishtinë.

Prokurori Armend Hamiti ka propozuar administrimin e provave materiale, duke përfshirë procesverbalin e obduksionit të të ndjerit, konstatimin dhe mendimin e ekspertit të balistikës, të gjitha provat e përmendura në aktakuzë, si dhe CD-në e rikonstruimit të përsëritur të vendit të ngjarjes, ku theksoi se rikonstruimi ishte bërë edhe më herët.

Sipas prokurorit, Hamiti këto prova vërtetojnë kryerjen e veprës penale nga ana e të akuzuarve.

Avokati Ahmet Tahiri, mbrojtës i të akuzuarit Labeat Kastrati, kishte vërejtje në provat materiale të propozuara nga prokurori. Me deklarimet e avokatit u pajtua edhe vetë Kastrati.

Edhe avokati Florent Latifaj, mbrojtës i të akuzuarit Fahri Kajtazi, kishte vërejtje në provat materiale të prezantuara nga prokurori Hamiti, në kuptim të mbrojtjes. Deklarimin e tij e mbështeti edhe i mbrojturi i tij.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Hamdi Mavriqi, avokati Ragip Zeneli nuk ka pasur vërejtje në provat e propozuara e as në ato të administruara nga prokurori, sikurse as në provat që janë administruar në Gjykatën e Qarkut. Këtë deklarim e mbështeti edhe Mavriqi.

Pas prezantimit të provave materiale nga prokurori dhe deklarimeve të avokatëve si dhe të akuzuarve lidhur me provat materiale, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarve.

Tre të akuzuarit thanë se qëndrojnë pranë deklaratave të dhëna më herët në Polici, Prokurori dhe në shqyrtim gjyqësor, kështu që nuk deshën të deklarohen në shqyrtimin e sotëm.

Më pas, në fjalën përfundimtare, prokurori Armend Hamiti tha se pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe rikonstruimit të vendit të ngjarjes, nuk ka dalë asgjë që mund të ndryshojë gjendjen faktike. Ai shtoi se qëndron pranë fjalës përfundimtare të prokurorit të Qarkut, të datës 12 shtator 2002.

Ndërkaq, mbrojtësi i viktimave, Bekim Dugolli, ka mbështetur fjalën përfundimtare të prokurorit dhe i propozoi trupit gjykues që të veprojë në bazë të ligjit në fuqi.

Mbrojtësi i Kastratit, avokati Ahmet Tahiri, dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe ia dorëzoi një kopje prokurorit, por për arsye shëndetësore tha se nuk mund ta elaborojë.

Me fjalën e Tahirit u pajtua edhe i mbrojturi i tij, i cili tha se nuk ka çka të shtojë më tej.

Ndërsa, mbrojtësi i Kajtazit, avokati Florent Latifaj tha se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e parë nga avokati tani i ndjerë Bajram Pllana.

“Çdo vendim që sanksionon dikë pas 25 vitesh nuk ka me arrit qëllimin e dënimit, por do konsiderohet se drejtësia është kalu”, tha Latifaj.

Sipas tij, duke pasur parasysh dëshmitarët okularë të dëgjuar në vendin e ngjarjes, të cilët elaboruan veprimet e të akuzuarit Kajtazi, e që nuk përkojnë me akuzën, ai ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza. I akuzuari Kajtazi është pajtuar me fjalën e mbrojtësit.

Kurse, avokati Ragip Zeneli, mbrojtës i të akuzuarit Mavriqit, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, ku nga një kopje ishte për trupin gjykues dhe prokurorin.

Zeneli deklaroi se Gjykata e Qarkut në Prishtinë me aktgjykim të datës 1 tetor 2002 ka vërtetuar gjendjen faktike dhe ka liruar të akuzuarin nga akuza. Tha se vrasja ka ndodhur para 25 vitesh dhe ekspertiza balistike ka vërtetuar se tani i ndjeri ka vdekur nga një plumb dhe vërtetohet se nga kush ka vdekur ai.

Sipas tij, rikonstruimit i vendit të ngjarjes më 27 maj 2025 ka vërtetuar se pozicioni i të akuzuarit Mavriqi e bënte të pamundur që plumbat e tij të godasin viktimën.

Andaj, avokati i propozoi Gjykatës që ta lirojë të akuzuarin Hamdi Mavriqi nga akuza për veprën penale të “Vrasjes” dhe “Vrasjes në tentativë”. Me deklariin e tij u pajtua edhe vetë Mavriqi.

Më pas, trupi gjykues e shpalli të perfunduar shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shpallja e aktgjikimit do bëhet një ditë tjetër.

Ndryshe, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 22 shkurt 2023, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtorë, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza. Kastrati ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes në tejkalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, Kajtazi ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes në tentativë, Cakaj për veprën penale të zotërimit, posedimit, kontrollimit dhe shfrytëzimit të paautorizuar të armëve.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Cakaj me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Kurse, të akuzuari Mavriqi e Kastrati, me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza për “Vrasje në tentativë”.

Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin. Po ashtu, ankesë kishte paraqitur edhe mbrojtja e Kastratit, Kajtazit dhe Cakajt.

Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme, kishte marrë vendim me të cilin ankesa e prokurorit që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ajo e mbrojtësve të tij të refuzohen si të pabazuara dhe në këtë pjesë, aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002, vërtetohet.

Po ashtu, kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 dhjetorit 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, më 17 dhjetor 2001, në “Inter Klub” në Prishtinë, të akuzuarit Fahri Kajtazi, Milaim Cakaj, Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve, ishin gjuajtur me armë me qëllim që të privojnë nga jeta njëri-tjetrin.

Mirëpo, aktakuza thotë se të akuzuarit Kastrati dhe Mavriqi duke shtënë në drejtim të Kajtazit, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.