Në fjalimin e tij në Davos, Presidenti amerikan, Donald Trump tani e ktheu vëmendjen te lufta në Ukrainë, duke thënë se NATO-ja do të ndihmojë për ta ndalur atë.
“Duhet ta ndalojnë atë luftë, sepse po vdesin shumë njerëz, po vdesin pa nevojë”, thotë ai, duke shtuar se presidenti rus Vladimir Putini dhe ai ukrainas Volodymyr Zelensky duan të arrijnë marrëveshje.
Trump thotë se SHBA-ja do t’i ndihmojë Evropën dhe NATO-n në këtë drejtim dhe se e vetmja gjë që ai po kërkon është “një copë akulli”, duke iu referuar Grenlandës.
Ai e quan këtë kërkesë të vogël krahasuar me atë që SHBA-ja i ka dhënë NATO-s.
Deklaroi se SHBA do të jetë 100% përkrah NATO-s, por nuk është i sigurt nëse aleatët do t’ia kthejnë favorin.
Trump thotë se asnjë vend në botë përveç Shteteve të Bashkuara nuk mund ta sigurojë Grenlandën.
Ai thekson para liderëve botërorë në Davos së Shtetet e Bashkuara kërkojnë bisedime të menjëhershme për ta përvetësuar Grenlandën.
Trump këmbëngul se “nuk kam nevojë ta përdor forcën, nuk dua ta përdor forcën, nuk do të përdor forcën”.
E vetmja gjë që SHBA-ja po kërkon, thotë ai më pas, është “një vend i quajtur Grenlandë”.
