Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga Presidenca.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.
Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike.
Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, ka thënë Osmani. /Reporteri.net

Deri më tani Trump, u ka dërguar ftesë liderëve të disa shteteve që do të marrin pjesë në këtë strukturë ndërkombëtare, përfshirë edhe Shqipërinë.
Me presidentin e SHBA-së si kryetar, Bordi Ekzekutiv themelues do të mbikëqyrë punën e një komiteti teknokratësh të ngarkuar me qeverisjen e përkohshme të Gazës dhe rindërtimin e saj.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se çdo anëtar i bordit ekzekutiv pritet të jetë përgjegjës për një portofol që do të jetë “kritik për stabilizimin e Gazës”.
