Gjykata Themelore në Prizren ka dhënë detaje të reja për rastin në Dragash ku dyshohet se i biri vrau nënën e tij, raporton KFVAgency.com
Sipas njoftimit për media nga Gjykata është bërë e ditur se i dyshuari kishte tri raste për dhunë në familje, si dhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik –ambulator në liri.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë me datë 15 korrik 2022, ka përfunduar me aktgjykim dënues për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Të pandehurit i është shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh, i cili është pezulluar për një periudhë verifikuese prej dy vitesh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale. Në këtë rast, gjykata i ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik – ambulantor në liri, në kohëzgjatje prej dy vitesh, e cila është zbatuar nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren, me obligim raportimi periodik ndaj gjykatës.
Rasti i dytë, me datë 22 gusht 2022, ka të bëjë me veprën penale “Dhuna në Familje”. Edhe në këtë rast, Ferzidin Boza është dënuar me 6 muaj burgim me kusht, me periudhë verifikuese prej një viti. Po ashtu, gjykata i ka shqiptuar sërish masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, e cila është zbatuar nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren, deri në përmirësimin e gjendjes mendore, por jo më shumë se tre vite, sipas dispozitave ligjore.
Ndërkaq, rasti i tretë me datë 17 tetor 2024, lidhet përsëri me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Në këtë rast, gjykata ka shqiptuar dënim me 6 muaj burgim, ku është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 30 qershor 2024 deri më 25 shtator 2024. Me pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtjes, dënimi me burgim është zëvendësuar me dënim me gjobë në vlerë prej 2,000 euro, nga e cila është zbritur shuma përkatëse e kohës së kaluar në paraburgim. Shuma e mbetur prej 260 euro duhet të paguhet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Njoftimi i plotë:
Referuar kërkesave të mediave, Gjykata Themelore në Prizren, njofton se në Gjykatën Themelore Prizren, Dega në Dragash, ndaj palët Ferzidin Bota, janë trajtuar tre (3) raste si në vijim:
Lënda P.nr. 2/22, me datë 15.07.2022, është marrë Aktgjykim Dënues, ashtu që të pandehurit për veprën penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par. 3 nënpar. 3.1, të KP-së, i është shqiptuar Dënim ashtu që i vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin prej 2 (dy) vitesh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimi, nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër të re penale.
Në kuptim të nenit 84 par. 2 lidhur me par. 1 nënpar. 1.2 dhe nenit 86 par. 1 të Kodit Nr.06/L-74 Penal të Republikës së Kosovës dhe nenit 512 të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, të akuzuarit i cakton edhe:
MASËN E TRAJTIMIT TË DETYRUESHËM PSIKIATRIK – AMBULLANTOR NË LIRI
Në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve.
Masën e shqiptuar do ta zbatoj Qendra për shëndetin mendor në Prizren, nga dita e marrjes së formës së prerë të këtij Aktgjykimi.
I pandehuri Ferzidin Boza, OBLIGOHET që të paraqitet në Qendrën e shëndetit mendor në Prizren, për trajtim të mëtutjeshëm psikiatrik.
QENDRA E SHËNDETIT MENDOR NË PRIZREN, OBLIGOHET që ta pranoj të pandehurin Ferzidin Boza nga fsh. Restelicë, Komuna e Dragashit për trajtim të mëtutjeshëm psikiatrik dhe kohë pas kohe ta njoftoj gjykatën mbi gjendjen shëndetësore dhe të arriturat e trajtimit të tij së paku 1 herë në 6 muaj.
Për sjelljen dhe zbatimin e kësaj mase do të njoftohet Sherbimi sprovues në Prizren dhe Qendra për punë sociale në Dragash.
Lënda penale P.nr. 56/21, me datë 22.08.2022, është marrë Aktgjykim Dënues, ashtu që të pandehurit për veprën penale Dhuna në Familje, nga neni 248 par. 1 të KP-së, i është shqiptuar Dënim me Burgim, në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri brenda periudhës verifikuese prej 1(një) viti, pasi aktgjykimi të merr formën e prerë nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do të revokoj dënimin me kusht.
Gjithashtu, në bazë të nenit 514 par.3 të KPP-ës dhe nenit 84 par.1 nënpar.1.2. dhe 86 par.1 nën par 1.3 dhe par.4 të KPRK-ës I ËSHTË SHQUPTUAR:
MASA E TRAJTIMIT TË DETYRUSHËM PSIKIATRIK NË LIRI •
Masa e shqiptuar do të ekzekutohet nga personeli mjekësor i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren, në kohëzgjatje deri në përmirësimin e gjendjes mendore të tij dhe do të fillojë të zbatohet menjëherë pas pranimit të vendimit.
Masa e shqiptuar do të ekzekutohet në QSHM-Prizren, e cila obligohet që të pranojë të pandehurin dhe të njëjtin ta trajtoj sipas protokolleve të saj dhe të njoftoj gjykatën çdo 6 /tre/ muaj për gjendjen shëndetësore të tij.
Në bazë të nenit 86 par.4 të KPRK-ës, trajtimi i detyrueshëm psikiatrik në liri nuk duhet të kaloj periudhën kohore prej 3 /tre/ viteve.
Lënda P.nr., 65/24, me datë 17.10.2024, është marrë Aktgjykim Dënues, ashtu që të pandehurit për veprën penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par. 3 nënpar. 3.1, të KP-së, i është shqiptuar Dënim me Burgim në kohëzgjatje prej 6 /gjashtë/ muajve, në të cilin dënim me burgim do të llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 30.06.2024 deri me datë 25.09.2024.
Duke aplikuar dispozitat e nenit 3 par.2 dhe nenit 44 të KP-së, me propozimin dhe pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, dënimi i shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 /gjashtë/ muajve, ti zëvendësohet me dënim me gjobë. Gjykata të akuzuarit dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 /gjashtë/ muajve, i zëvendëson me dënim me gjobë në shumën prej 2,000.00 € / dy mijë/ euro, në të cilin dënim me gjobë do të llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 30.06.2024 e deri me datë 25.09.2024, shuma e ngelur e dënimit me gjobë prej pas llogaritjes së masës së paraburgimit prej 260.00 € /dyqind e gjashtëdhjetë / euro, i akuzuari duhet ta paguaj në afat ligjor pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimit.
Gjatë ditës do të ju mbajmë të informuar për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit, nëse Gjykata pranon kërkesë për caktim të masës së sigurisë, dhe për kohën e mbajtjes së seancës dëgjimore.
