Ligjvënësit e Bashkimit Evropian votuan sot për ta çuar në Gjykatën e Drejtësisë të BE marrëveshjen e tregtisë së lirë me Amerikën e Jugut, një hap që mund ta vonojë zbatimin e saj deri në 2 vjet dhe madje ta rrezikojë atë.
Marrëveshja më e madhe tregtare në historinë e BE, “Mercosur“, me Argjentinën, Brazilin, Paraguajin dhe Uruguajin, u nënshkrua më 17 janar, pas 25 vitesh negociata. Megjithatë, ajo ende duhet të miratohet përpara se të hyjë në fuqi.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, një nga mbështetësit kryesorë të marrëveshjes, shkruajti në një postim në rrjetet sociale se Parlamenti Europian nuk e ka vlerësuar siç duhet situatën gjeopolitike. Ai thotë se marrëveshja duhet të zbatohet sa më shpejt, qoftë edhe në mënyrë të përkohshme.
Gjermania dhe Spanja, theksojnë se politikat e presidentit amerikan Donald Trump po tronditin tregtinë globale. Sipas tyre, marrëveshja është thelbësore për të kompensuar humbjet nga tarifat amerikane dhe për të ulur varësinë nga Kina, duke siguruar akses në minerale kritike.
Franca: Vota duhet të respektohet
BE-ja mund ta zbatojë marrëveshjen përkohësisht në pritje të vendimit të gjykatës dhe miratimit parlamentar. Por një hap i tillë mund të jetë politikisht i vështirë për shkak të reagimeve të forta, ndërsa Parlamenti Europian ka të drejtën për ta anuluar më vonë.
Franca, prodhuesi më i madh bujqësor i BE-së, e kundërshton me argumentin se marrëveshja do të rrisë ndjeshëm importet e mishit të lirë të viçit, sheqerit dhe mishit të shpendëve, duke dëmtuar fermerët vendas, të cilët kanë protestuar vazhdimisht.
Një grup prej 144 eurodeputetësh paraqiti një mocion për t’i kërkuar Gjykatës së Drejtësisë të BE-së të vendosë nëse marrëveshja mund të zbatohet përpara ratifikimit të plotë nga të gjitha shtetet anëtare dhe nëse dispozitat e saj kufizojnë aftësinë e BE-së për të vendosur politika mjedisore dhe të shëndetit të konsumatorit. Gjykata zakonisht merr rreth 2 vjet për të dhënë opinione të tilla.
Parlamenti Europian e miratoi mocionin me 334 vota pro, 324 kundër dhe 11 abstenime. Sindikata më e madhe bujqësore franceze, FNSEA, e quajti votën një fitore.
Komisioni Europian, i cili negocioi marrëveshjen, deklaroi se çështjet e ngritura janë trajtuar tashmë gjerësisht me ligjvënësit dhe janë adresuar në marrëveshje të mëparshme tregtare.
Po çfarë marrëveshjeje është kjo?
Është marrëveshja e tregtisë së lirë BE-Mercosur, mes Bashkimit Europian dhe katër vendeve të Amerikës së Jugut: Argjentina, Brazili, Paraguaji dhe Uruguaji.
Çfarë parashikon?
Heqje ose ulje të tarifave doganore
Më shumë eksporte europiane (makineri, makina, produkte industriale)
Më shumë importe nga Amerika e Jugut (mish viçi, sheqer, shpendë, produkte bujqësore)
Akses për BE-në në minerale kritike dhe tregje të reja.
