Hazir Haziri është liruar nga burgu në Serbi, ku po mbahej që nga shtatori i vitit të kaluar.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Arianit Koci, i cili ka bërë të ditur se Haziri është në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas Kocit, Haziri ishte arrestuar më 8 shtator 2025 në pikën kufitare në Merdarë dhe ishte mbajtur në paraburgim nga autoritetet serbe pa bazë.
“Haziri sapo është liruar nga autoritetet e Serbisë, pas mbajtjes në paraburgim prej 08.09.2025, kur ishte arrestuar në pikën kufitare në Merdarë. Lirimi i tij konfirmon se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ngritur mbi pretendime të pambështetura në fakte”, ka shkruar Koci.
Ai ka theksuar se ky rast nënvizon nevojën që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje të menjëhershme juridike sa herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit.
“Si avokat, do të vazhdoj të angazhohem që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos mbetet i pambrojtur në burgjet e Serbisë, pavarësisht rrethanave apo akuzave të pabazuara. Kjo është përgjegjësi profesionale dhe njerëzore”, ka deklaruar ai.
