Lajme Shqipëri

Gjykata në Shqipëri jep 130 vjet burg për grupin e Leonard Dukës

Gjykata e Posaçme e Shqipërisë ka shpallur vendimin për të pandehurit dhe të akuzuarit në lidhje me vrasjen e ish policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në vitin 2019.

GJKKO ka dënuar me 30 vite burg Leonard Dukën. Ai u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë, ndërsa u ekstradua në Tiranë në gusht të po atij viti, për t’u përballur me drejtësinë.

Ndërkaq, me nga 25 vite burg u dënuan Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga.

Elis Duka është shpallur i pafajshëm, pasi nuk u provua që ka kryer vepren penale.

Më herët, për vrasjen e Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Erivs Martinajt, janë dënuar në një proces të ndarë edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.

Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Malko dyshohej se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale.