Kosovë Kronikë Policore Lajme

U raportua se u përshkroi ilaçe të kafshëve fëmijëve autikë, policia aktivizohet për rastin e Arianit Sllamnikut

Policia e Kosovës është aktivizuar pasi ditën e djeshme u raportua se një person po shet ilaçe në vlerë mijëra euro fëmijëve, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Arianit Sllamniku ka publikuar edhe në rrjetin e tij social Facebook postime të kinse trajtimit të këtyre rasteve.

Rasti po trajtohet nga ana e policisë.

Kjo u konfirmua për gazetën online Reporteri.net nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Mund të ju konfirmojmë se në lidhje me rastin për të cilën keni pyet, ky rast është duke u trajtuar nga ana e policisë së Kosovës në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse. Për vazhimin e hetimeve lidhur me këtë rast do të ju njoftojmë me kohë”, deklaroi Hashani.

Për rastin reagoi dje edhe Ministria e Shëndetësisë. Ministria iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të mos bien pre e mashtrimeve.

“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në reagim.