Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Arianit Sllamnikut, i dyshuar për mashtrim përmes shitjes së ilaçeve veterinare si trajtim për shërimin e autizmit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka deklaruar për Gazetën Online Reporteri.net se Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale, sot me autorizim të Prokurorisë së Shtetit dhe në vazhdën e veprimeve hetimore, “ka ndërmarrë masa konkrete operative duke arrestuar personin e dyshuar me inicialet A.S.”.
Sipas Hashanit, i dyshuari dyshohet se është i përfshirë në kryerjen e veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Pas arrestimit, personi i dyshuar është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.”, ka thënë Hashani për Reporteri.net.
Ai ka shtuar se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave të rastit.
Për arrestimin e Sllamnikut pwr Reporteri.net ka folur edhe Kryeprokurori i Prokurorisw Themelore tw Gjilanit, Arben Kadriu.
Kadriu tha se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Ai shtoi se Sllamniku dyshohet për veprat penale “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i KPRK-së dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së.
