Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka njoftuar se po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit elektroenergjetik në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale për konsum.
Sipas njoftimit të lëshuar sot, KESCO ka nominuar rreth 26.17 për qind më pak energji sesa kërkesa reale e konsumatorëve.
Si rezultat, Zona e Kontrollit e KOSTT-it është futur në jo-balanca mesatare prej rreth 211 mw/h, ndërsa në disa intervale kohore këto devijime kanë tejkaluar edhe 260 mw/h.
“Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, ka njoftuar tutje KOSTT-i.
Ky operator më tej ka theksuar se devijimet e tilla rrezikojnë sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend.
Në reagimin e tij, KOSTT u ka bërë thirrje palëve përgjegjëse që nominimet e energjisë të pasqyrojnë në mënyrë sa më të saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, me qëllim shmangien e devijimeve të mëtejshme dhe ruajtjen e funksionimit të sigurt të sistemit.
Për shkak të gjendjes së krijuar, KOSTT ka njoftuar se është detyruar të kërkojë aplikimin e kufizimeve të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt të sistemit, deri në stabilizimin dhe përmirësimin e situatës.
“KOSTT bën thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për të shmangur devijimet dhe për të ruajtur sigurinë e sistemit. Në këtë situatë, KOSTT është detyruar që të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes”, thuhet në njoftim.
\
