Botë Lajme

Mbyllen dhjetëra plazhe në bregun lindor të Australisë pas disa sulmeve nga peshkaqenët

Dhjetëra plazhe përgjatë bregut lindor të Australisë, përfshirë edhe ato në Sydney, u mbyllën të martën, 20 janar, pas katër sulmeve nga peshkaqenët të regjistruara brenda dy ditësh. Autoritetet thanë se reshjet e dendura të shiut kanë turbulluar ujërat, duke krijuar kushte më të favorshme për praninë e këtyre grabitqarëve.

Plazhet përreth Port Macquarie, rreth 400 kilometra në veri të Sydneyt, u mbyllën pasi një burrë u kafshua nga një peshkaqen ndërsa po bënte surf gjatë ditës. Ai ndodhet ende në spital, por në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, njoftuan autoritetet shëndetësore.

“Nëse po mendoni të notoni, më mirë zgjidhni një pishinë lokale, sepse në këtë fazë po këshillojmë se plazhet janë të pasigurta,” deklaroi për mediat Steven Pearce, drejtori ekzekutiv i Surf Life Saving në Uellsin e Ri Jugor (NSW).
“Cilësia e ujit është shumë e dobët dhe kjo krijon kushte të favorshme për aktivitetin e peshkaqenëve të tipit bull.”

Lexo edhe:

Ukraina ndryshon strategjinë e mbrojtjes ajrore përballë sulmeve të reja ruse

Kreu i OKB anulon pjesëmarrjen në Davos

Aksidenti në Spanjë, konstatohet shinë e dëmtuar

Mbylljet ndodhin në kulmin e verës në hemisferën jugore, një periudhë kur plazhet australiane zakonisht janë të mbushura me vendas dhe turistë.

Të hënën në mbrëmje, shërbimet emergjente u thirrën në një plazh në zonën Manly të Sidneit, pasi u raportua se një surfer rreth të 20-ave ishte kafshuar nga një peshkaqen. Dëshmitari okular Max White tha se një surfer tjetër arriti ta mbante gjallë të plagosurin duke përdorur lidhësen e këmbës së dërrasës së surfimit si fashë improvizuese për të ndalur gjakderdhjen.

“Ai merrte frymë, por ishte pa ndjenja, dhe ne thjesht u përpoqëm ta mbanim zgjuar”, tha White për transmetuesin shtetëror ABC.

Paramedikët e trajtuan për dëmtime të rënda në këmbë përpara se ta dërgonin në spital në gjendje kritike. Po të hënën, një djalë 10-vjeçar shpëtoi pa lëndime pasi një peshkaqen e rrëzoi nga dërrasa e surfimit dhe kafshoi një pjesë të saj. Një ditë më parë, një tjetër djalë mbeti në gjendje kritike pasi u kafshua në një plazh të qytetit.

Policia njoftoi se të gjitha plazhet në zonën e quajtur “Northern Beaches”, që shtrihet përgjatë vijës bregdetare veriore të Sydneyt, do të mbeten të mbyllura deri në një njoftim të dytë.

Sulmet vijnë pas disa ditësh reshjesh të dendura shiu, të cilat kanë derdhur ujëra në port dhe në plazhet përreth, duke krijuar kushte ideale për peshkaqenët bull, që dyshohet se qëndrojnë pas disa prej sulmeve. Kjo specie jeton dhe ushqehet mirë në ujëra të njelmëta.