Kosova po ballafaqohet me vështirësi serioze në sektorin energjetik Të mërkurën e 14 janarit në qytete të ndryshme të vendit kanë nisur reduktimet e furnizimit me energji elektrike. Blloku B1 i termocentralit Kosova B është jashtë funksionit, poashtu edhe ai i Njësisë B2, raporton KFVAgency.com
Derisa qytetarët po përballen me fatura të larta të energjisë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka paralajmëruar se nga muaji mars do të rritet sërish cmimi i energjisë elektrike.
Korporata Energjetike e Kosovës është përballur me probleme serioze dhe rënie të blloqeve pavarësisht që gjatë katër viteve u proklamua nga pushteti për remonte renovime, e modernizim të blloqeve.
Për shkak të ngarkesës së lartë dhe gjendjes teknike, njësi B2 i nënshtrohet një kontrolli teknik që pritet të zgjasë rreth 48 orë. Ekipet profesionale të KEK-ut kanë nisur ndërhyrjet dhe verifikimet për të siguruar rifreskimin e parametrave operativë dhe vazhdimësinë e qëndrueshme të prodhimit.
Për gjendjen e jashtëzakonshme ka reaguar edhe KESCO.
“KESCO njofton konsumatorët se gjatë ditëve të fundit sistemi elektroenergjetik është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, e cila aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor. Për shkak të kësaj rritjeje, KESCO është e detyruar të sigurojë rreth 50% të energjisë elektrike përmes importit, në kushte shumë të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar. Aktualisht, kapacitetet ndërkufitare janë të kufizuara dhe kjo po krijon presion të madh në sigurimin e sasive të nevojshme”, thuhet në reagimin e KESCO-n.
KESCO njofton se vendi po përballet me rritje të madhe të konsumit të energjisë, ndërsa prodhimi vendor nuk po e mbulon kërkesën.
Për këtë arsye, rreth 50% e energjisë po sigurohet përmes importit në kushte shumë të vështira të tregut.
Po ashtu për shkak të kufizimeve ndërkufitare dhe mungesës së kapaciteteve të mjaftueshme, janë aplikuar kufizime të përkohshme edhe në import për ruajtjen e stabilitetit të sistemit elektroenergjetik.
KESCO thotë se po bën të gjitha përpjekjet për të minimizuar ndikimin te konsumatorët.
Një ditë më parë edhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka njoftuar se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit. Sipas KOSTT-it, kjo ndodh për shkak të diferencës mes nominimeve dhe konsumit real në ditët e fundit. Devijimet kanë rritur rrezikun për stabilitet dhe mund të sjellin masa ndëshkuese ndaj KOSTT-it nga rrjeti evropian.
E këtë problem Kosova e pati gjatë gjithë vitit 2025, duke u renditur e para në rajon për import të energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës., për një vit Kosova ka shpenzuar hic më pak se 259 milionë euro në import të energjisë elektrike.
Kjo e rendit rrymën si produktin e tretë më të importuar në vend gjatë vitit 2025, pas veturave dhe derivateve.
Në anën tjetër, shitja (eksporti) e energjisë elektrike kapi vlerën e 55 milionë eurove.
Kjo diferencë tregon se Kosova ka importuar rreth 4.7 herë më shumë energji sesa ka arritur të eksportojë, duke krijuar një deficit tregtar prej rreth 204 milionë eurosh vetëm në këtë sektor.
