Kosovë Lajme

Gjykata Supreme: Zbatimi i vendimit për pensionistët bie mbi institucionet ekzekutive

Një muaj më parë, Gjykata Supreme shfuqizoi disa pjesë të një udhëzimi administrativ që binte ndesh Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.

Ndërsa ditën e djeshme, Ministria e Financave doli me një sqarim ku tregoi se pensionistët e kategorive kontributeve, parciale kontributeve dhe familjare nuk kanë nevojë të paraqiten në zyrat e pensioneve.

Ndërkaq pensionistët e kategorive të tjera vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas legjislacionit në fuqi.

Kjo shkaktoi paqartësi.

Gjykata Supreme e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar sot ka njoftuar opinionin publik për aktgjykimin P.A.nr.16/2025, duke sqaruar rolin dhe kompetencat e saj në lidhje me shfuqizimin e disa dispozitave të udhëzimit administrativ nr. 05/2015 (MPMS), që lidhen me pensionistët.

“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, që kanë të bëjnë me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Gjykata thekson se aktgjykimi është dorëzuar palëve në procedurë dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë efekt të plotë juridik.

“Gjykata Supreme thekson se e ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat. Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera”, theksohet në njoftim.

Sipas Supremes, vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit.

Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.