Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit për të cilat KQZ ka marrë vendimin që të rinumërohen në krejt Kosovën.
Rinumërimi po nxjerr në pah abuzim me vota të kandidatëve për deputetë edhe në Vetëvendosje, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Lëvizje në votat e kandidatëve të VV-së janë vërejtur pas rinumërimit të 11 vendvotimeve nga 110 sa janë gjithsej në Podujevë.
Në veç 11 kuti të rinumëruara deri më tani, Ejup Maqedoncit ia janë hequr 288 vota. Vendenis Lahu nga kjo parti po ashtu del me -246 vota, pasuar nga Adelina Stublla me 174 vota më pak, e Drita Pajaziti me -65 vota.

Ditën e djeshme, KQZ mori vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komunat, si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Ndërkaq, sipas vendimit të mëhershëm të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, parashihej që në 10 komuna, si: Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotimeve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.
