Nëse testi i ri i zhvilluar nga projekti kërkimor rezulton i suksesshëm, ai do të ishte shumë më i thjeshtë sesa skanimet aktuale, punksionet lumbare apo “spinal tap”-et që pacientët duhet të kryejnë për t’u diagnostikuar me këtë sëmundje
Një projekt i madh ndërkombëtar kërkimor mund të sjellë një test të thjeshtë gjaku, të ngjashëm me shpimin e gishtit, për të ndihmuar në diagnostikimin e sëmundjes së Alzheimerit. Studimi po analizon tre proteina në gjak që lidhen me këtë gjendje. Shkencëtarët do ta krahasojnë testin me skanimet aktuale të trurit, të cilat konsiderohen “standardi i artë”, në një projekt që përfshin 1.000 vullnetarë në mbarë botën.
Nëse testi i ri funksionon, ai do të ishte shumë më i lehtë sesa skanimet aktuale, punksionet lumbare apo shpimet spinale që përdoren për identifikimin e sëmundjes. Testi me shpim gishti do të përdorë një kartë për ndarjen e plazmës, duke përshpejtuar diagnostikimin e Alzheimerit përmes gjakut dhe biomarkerëve digjitalë. Nëse ka sukses, testi do të jetë i qasshëm, me kosto të ulët dhe do të mundësojë ndërhyrje më të hershme.
Ky studim është pjesë e kërkimit Bio-Hermes-002 të Global Alzheimer’s Platform Foundation (GAP), i mbështetur nga organizata jofitimprurëse e kërkimit mjekësor LifeArc. Deri tani janë përfshirë 883 nga 1.000 pjesëmarrësit e nevojshëm për studimin, nga 25 qendra në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Kanada, transmeton KFVAgency.com
Në studim përfshihen persona pa simptoma, individë me dëmtim të lehtë kognitiv, si dhe disa me Alzheimer të lehtë deri në të moderuar. Nga ky grup, mbi 360 persona e kanë përfunduar testin. Dr. Giovanna Lalli, Drejtoreshë e Strategjisë dhe Operacioneve në LifeArc, deklaroi:
“Gjatë pesë viteve të fundit është bërë përparim i ndjeshëm në identifikimin e biomarkerëve në gjak për të zbuluar njerëzit me rrezik të lartë për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit, para se të shfaqen simptomat.
Zhvillimi i testeve më të lira, të shkallëzueshme dhe më të qasshme është jetik në luftën kundër kësaj sëmundjeje shkatërruese. Ne jemi të përkushtuar të përmirësojmë jetën e pacientëve përmes zhvillimit të testeve dhe trajtimeve të reja, dhe jemi të entuziazmuar për perspektivën e një testi gjaku me shpim gishti. Ai do t’u mundësojë më shumë pacientëve qasje në barna të reja, që aktualisht janë në zhvillim, për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes në fazat e hershme.”
John Dwyer, President i GAP, shtoi se përdorimi i një testi të thjeshtë gjaku ka potencialin të revolucionarizojë diagnostikimin. Ai theksoi se do të nevojitet punë e mëtejshme për ta bërë testin gati për përdorim pas përfundimit të studimit. Prof. Henrik Zetterberg, udhëheqës i “Biomarker Factory” në Institutin Britanik për Kërkime mbi Demencën, nënvizoi se rezultatet do të krahasohen me teknikat aktuale diagnostikuese që përbëjnë standardin e artë.
“Nëse rezulton i suksesshëm, aftësia për të diagnostikuar Alzheimerin me një metodë minimalisht invazive dhe me kosto të ulët do të revolucionarizojë diagnostikimin në këtë fushë dhe do të hapë rrugën për përmirësimin e diagnostikimit të të gjitha sëmundjeve neurodegjenerative”, shtoi ai. Presidenti Ronald Reagan foli hapur për diagnozën e tij me sëmundjen e Alzheimerit më shumë se 30 vjet më parë, në një letër publike drejtuar kombit amerikan, duke u përpjekur të thyejë stigmën që e shoqëronte këtë sëmundje dhe të rrisë ndërgjegjësimin për ndikimin e saj te pacientët dhe familjet e tyre.
Studimi pritet të përfundojë në vitin 2028.
Sëmundja e Alzheimerit prek rreth gjashtë në dhjetë persona me demencë. Problemet me kujtesën, vështirësitë në arsyetim dhe problemet me gjuhën janë shenja të hershme të zakonshme të kësaj gjendjeje.
