Botë Lajme

Tensionet- Macron refuzon ftesën e Trump: Franca s’ka ndërmend ta pranojë ofertën…

Franca pritet të refuzojë një ftesë për të marrë pjesë në të ashtuquajturin Bord të Paqes për Rripin e Gazës të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, sipas një zëdhënësi presidencial.

“Ashtu si shumë vende të tjera, Franca është ftuar të bashkohet me ‘këshillin e paqes’, dhe aktualisht po shqyrton kuadrin ligjor të propozuar së bashku me partnerët e saj”, tha të hënën zëdhënësi i Presidentit Emmanuel Macron.

“Megjithatë, Franca nuk ka ndërmend ta pranojë ofertën në këtë kohë”, shtoi ai.

Ai tha se statutet e bordit të planifikuar, shkojnë përtej fushëveprimit të Rripit të Gazës. Ato gjithashtu ngrenë pyetje të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me respektimin e parimeve dhe strukturës së Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk duhen vënë në dyshim në asnjë rrethanë, vazhdoi zëdhënësi.

“Franca mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj një armëpushimi në Gaza, dhe një perspektive të besueshme politike për palestinezët dhe izraelitët. Ajo gjithashtu do të vazhdojë të mbrojë multilateralizmin efektiv”, tha ai.

Ftesa për në Bordin e Paqes morën gjithashtu Presidenti rus Vladimir Putin, homologu i tij turk Recep Tayyip Erdoğan, Presidenti argjentinas Javier Milei dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Komiteti është pjesë e fazës së dytë të planit të paqes të Trump për Gazën, i cili parashikon një fund të përhershëm të luftës dhe çarmatimin e Hamasit, të cilin milicia palestineze e kundërshton.

Bordi do të mbikëqyrë një komitet të ri ekspertësh palestinezë që menaxhojnë drejtimin e përditshëm të Gazës.

Vetë Trump kryeson bordin. Sipas Shtëpisë së Bardhë, komiteti ekzekutiv i bordit përfshin gjithashtu ish-kryeministrin britanik Tony Blair, Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, dhëndrin e Trump, Jared Kushner, dhe të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff.