Kronikë Policore Lajme

“Reload” distancohet nga çdo veprim i dyshimtë i të arrestuarve sot në Prishtinë

Kompania “Reload SH.P.K.” është distancuar nga veprimet e dyshimta të të arrestuarve në aksionin e sotëm në Prishtinë, që rezultoi me katër persona në pranga. 

Në reagimin e saj, kompania ka njoftuar “se gjatë ditës është realizuar një vizitë nga hetuesit e Policisë së Kosovës, e cila ka pasur për qëllim trajtimin e dyshimeve që lidhen me persona të caktuar, dhe jo me aktivitetin apo funksionimin e kompanisë si subjekt juridik”.

Tutje, tregohet se kompania “ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë qasje të plotë në të gjitha informacionet dhe dokumentacionin e kërkuar, duke garantuar bashkëpunim të plotë dhe transparent me institucionet kompetente, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe sqarimit të çdo dyshimi të mundshëm”.

Reagimi vjen pas raportimeve se në një aksion të Prokurorisë dhe Policisë në Prishtinë, përveç 2 zyrtarëve të MPB-së u arrestuan edhe dy zyrtarë të “Reload-it”.

Kumtesa e plotë:

Kompania Reload SH.P.K. konfirmon se gjatë ditës është realizuar një vizitë nga hetuesit e Policisë së Kosovës, e cila ka pasur për qëllim trajtimin e dyshimeve që lidhen me persona të caktuar, dhe jo me aktivitetin apo funksionimin e kompanisë si subjekt juridik, në kuadër të një rasti që është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.

Në këtë kontekst, kompania jonë ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë qasje të plotë në të gjitha informacionet dhe dokumentacionin e kërkuar, duke garantuar bashkëpunim të plotë dhe transparent me institucionet kompetente, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe sqarimit të çdo dyshimi të mundshëm.

Me këtë deklaratë, Reload SH.P.K. distancohet qartë nga çdo veprim individual apo i grupeve të caktuara, të cilat mund të jenë objekt i dyshimeve apo hetimeve dhe të cilat nuk përbëjnë veprime zyrtare, vendime apo qëndrime të kompanisë.

Kompania rithekson gatishmërinë e saj për bashkëpunim të vazhdueshëm me organet shtetërore, në çdo formë dhe në çdo fazë të procedurave, ashtu siç kërkohet nga ligji.

Reload SH.P.K. mbetet e përkushtuar që të gjitha aktivitetet e saj të zhvillohen në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, duke respektuar standardet më të larta të integritetit, ligjshmërisë dhe transparencës.