Kosovë Lajme Politikë

Pas mospërputhjeve në rinumërim, Hamza kërkon rinumërim të plotë të votave

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar për herë të parë pas rinumërimit të votave, gjatë të cilit janë evidentuar mospërputhje serioze dhe dyshime për manipulim të vullnetit të qytetarëve.

Hamza ka thënë se gjetjet nga rinumërimi i pjesshëm janë tejet shqetësuese, duke theksuar se dallimet e mëdha të zbuluara cenojnë rëndë besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Ai ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në të gjithë territorin e Kosovës.

“Në këto rrethana të krijuara, si kryetar i PDK-së, vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë. Institucionet përgjegjëse e kanë obligim kushtetues të veprojnë menjëherë për ta mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor”, ka shkruar Hamza.

Sipas tij, çdo vonesë apo hezitim në këtë drejtim përbën cenim të drejtpërdrejtë të besimit të qytetarëve në procesin demokratik.