Kosovë Lajme

Ministria e Financave vendos t’i maltretojë pensionistët sërish, vjen reagimi

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka dalë me një njoftim të ri lidhur me lajmërimin që duhet ta bëjnë pensionistët për vërtetimin se janë gjallë.

Në postimin e shpërndarë në Facebook, thuhet se disa kategori të pensionistëve nuk kanë më nevojë për paraqitje të rregullt para zyreve të pensioneve.

“Këto kategori janë përfituesit e pensioneve: kontributive, parciale kontributive, dhe familjare.”

Por, pensionistët e kategorive të tjera vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas legjislacionit në fuqi.

“MFPT ka ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për të lehtësuar shërbimet për pensionistët, duke përfshirë:

Ekipet mobile që ofrojnë shërbime në shtëpi për ata që nuk mund të paraqiten fizikisht, në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës;

Thjeshtësimin e procedurave për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke eliminuar proceset e panevojshme dhe të lodhshme të rivlerësimit.”