Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar pas dyshimit për vjedhje votash përbrenda subjektit të tij politik në këtë komunë.
Totaj me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se si kryetar i PDK’së në Prizren do të kërkojë përgjegjësi lidhur me këtë.
“Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, thuhet në shkrimin e Totajt.
“Siguroj qytetarët se Partia Demokratike e Kosovës di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar si gjithmonë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij. Parregullsitë e shfaqura tek të gjitha partië, diku me shume e diku më pak, kërkojnë edhe një rivlerësim të terësishëm nga KQZ-ja dhe institucionet përkatëse të procesit të numërimit dhe menaxhimit të kujdesshëm që të ruhet deri në fund mbaravajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”.
