Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) identifikoi mangësi serioze në organizim dhe në menaxhimin e burimeve njerëzore, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në mosfunksionalizimin e ekipeve për hetimin e dhunës në familje në disa stacione policore.
Sipas një komunikate për media, inspektimi është realizuar në kuadër të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2025
“Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: vlerësimi i kapaciteteve policore për trajtimin e rasteve, vlerësimi i reagimit policor dhe i hetimit të rasteve të dhunës në familje, vlerësimi i aktiviteteve policore në monitorimin e urdhrave mbrojtës, si dhe vlerësimi i përmbajtjes së dosjeve dhe evidencave”, thuhet në komunikatë.
IPK njoftoi se gjatë inspektimit janë evidentuar dobësi në aktivitetet operativo-hetimore. Në disa prej dosjeve të shqyrtuara janë konstatuar mungesa të raporteve njoftuese për Prokurorinë lidhur me dyshimet e arsyeshme për kryerjen e veprave penale, si dhe moszbatimi i vlerësimit të rrezikut për viktimat, sipas standardeve të përcaktuara.
Në raportin përfundimtar, Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë gjithsej gjashtë rekomandime. Këto përfshijnë nevojën për funksionalizimin e plotë të ekipeve për hetimin e dhunës në familje, trajnimin e stafit të angazhuar në këto njësi, përmirësimin e cilësisë së intervistave, zgjerimin e tyre edhe me dëshmitarë të tjerë potencialë, hartimin e raporteve ditore për rastet, si dhe respektimin e zinxhirit të plotë komandues gjatë dërgimit të kallëzimeve penale në Prokurorinë e Shtetit.
