Kosovë Lajme

Alarm për ndotjen e ajrit në kryeqytet: Vlerat alarmante rrezikojnë shëndetin, kërkohen masa urgjente

Pavarësisht pamjes së bukur që ka pasur kryeqyteti ditët e fundit, pas saj fshihet një problem serioz shëndetësor, ndotja e ajrit. Sipas matjeve, gjatë ditëve të fundit janë regjistruar rritje të ndjeshme të ndotjes, me vlera që tejkalojnë normat e lejuara.

Ekspertët e mjedisit bëjnë të ditur se ndotja e ajrit është e pranishme tash e më shumë se një muaj, ndërsa ditët e fundit situata është përkeqësuar dukshëm.

Eksperti i mjedisit, Ilir Morina, ka deklaruar se të shtunën indeksi i cilësisë së ajrit (AQI) ka arritur vlerën 174, që korrespondon me rreth 100 mikrogramë për metër kub për grimcat PM2.5. Sipas tij, edhe niveli i PM10 dhe i gazrave të tjerë ka qenë i lartë, duke bërë që të gjithë parametrat të jenë mbi normat e lejuara. Ai thekson se grimcat ndotëse janë tri herë më të larta sesa kufijtë e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe direktivat evropiane, çka e bën situatën jo të shëndetshme dhe të rrezikshme, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes kur mungon qarkullimi i ajrit.

Morina ka bërë thirrje për marrjen e masave konkrete dhe afatgjata për tejkalimin e kësaj gjendjeje.

“Pas 25 vitesh diskutimesh, ka ardhur koha që të zbatohen masa që vazhdojnë të mungojnë, si ndërrimi i filtrave të termocentraleve, kontrolli teknik i automjeteve dhe ndalimi i qarkullimit të mjeteve pa katalizator. Po ashtu, duhet një kontroll i rreptë i produkteve të peletit, pasi në treg ka pelet të lirë që përmban përzierje plastike dhe mbetje të ndryshme”, ka theksuar ai.

Nga ana tjetër, eksperti i cilësisë së ajrit, Shkumbin Shala, ka vënë në pah se mbrojtja e ajrit është përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe qytetare.

Sipas tij, Instituti Hidrometeorologjik monitoron cilësinë e ajrit në kohë reale dhe të dhënat janë transparente për publikun. Ai u ka bërë apel qytetarëve që të kontribuojnë në përmirësimin e situatës duke mos djegur mbeturina apo lëndë me lagështi të madhe, të cilat lirojnë gazra dhe pluhur ndotës, si dhe duke përdorur më shumë transportin urban për të reduktuar emetimet.

Instituti Hidrometeorologjik vlerëson se edhe kushtet atmosferike aktuale po ndikojnë negativisht në përkeqësimin e ndotjes së ajrit.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, ajri i ndotur përbën rrezik serioz për zhvillimin e një sërë sëmundjesh, veçanërisht atyre kardiovaskulare dhe respiratore.

Kujdes i shtuar po ashtu është apeluar për grupet më të ndjeshme, përfshirë të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës dhe mushkërive.