Një rast i rëndë vjedhjeje është raportuar sot në Prishtinë, ku një lokal i arit në rrugën “Agim Ramadani”, përkatësisht “OXA GOLD”, dyshohet se është thyer dhe nga aty është marrë një sasi ari me vlerë të madhe financiare.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se më 19.01.2026, rreth orës 10:00, Policia ka pranuar informacion për thyerje në këtë lokal.
Në vendin e ngjarjes ka dalë njësitë policore, e të cilët kanë takuar ankuesin, i cili ka deklaruar se rreth orës 10:00 kishte arritur në lokal dhe kishte vërejtur se muri ishte shpuar, ndërsa sefi dhe të gjitha kutitë ku ruhej ari ishin gjetur të hedhura në tokë.
Pas njoftimit, në lokacion janë angazhuar edhe njësia e hetuesve dhe forenzika, të cilët kanë arritur rreth orës 10:30, ku kanë kryer fotografimin e vendit të ngjarjes dhe kanë nisur procedurat e dokumentimit të provave.
Për shkak të vlerës së konsiderueshme të dëmit, është njoftuar edhe Hetuesia Rajonale, pasi sipas ankuesit, vlera e arit të marrë dyshohet të jetë rreth 600 mijë euro, ndërsa burime të tjera flasin për një shifër që shkon deri në 650 mijë euro.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet janë në zhvillim për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
