Kosovë Kronikë Policore Lajme

Manipulimi industrial i votave, kryeprokurori Kryeziu njofton se ka lëshuar autorizim për identifikimin e personave përgjegjës

Në një pjesë të madhe të vendvotimeve që janë përfshirë në procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, rinumërimi tashmë ka përfunduar. Procesi kishte nisur më 13 janar, pas evidentimit të mospërputhjeve në votat për kandidatët brenda subjekteve politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se rinumërimi ka përfunduar në 19 komuna dhe se procesi po vazhdon në Prizren, e më pas edhe në komuna të tjera. Në Prizren deri më tani janë rinumëruar 172 nga 235 vendvotime dhe kjo komunë rezulton me numrin më të madh të fletëvotimeve me parregullsi.

Lidhur me këtë çështje, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të siguruar prova, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet, pasi janë evidentuar keqpërdorime në procesin e numërimit të votave.

“Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciative kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet”, tha Kryeziu.

“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”.