Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i këtij procesi, të martën më 13 janar 2026 në ora 18:00, e deri të dielën më 18 janar 2026 në ora 16:00, janë rinumëruar rreth 56 për qind e vendvotimeve, respektivisht 509 nga gjithsej 914 vendvotime të përfshira në rinumërim.
Rinumërimi deri më tani ka përfunduar plotësisht në këto komuna: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë dhe Prishtinë.
Ndërkohë, në komunën e Prizrenit janë rinumëruar 232 nga 235 vendvotime, ndërsa në Skenderaj 4 nga 72 vendvotime.
Sipas KQZ-së, procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet të përfundojë edhe në komunën e Prizrenit. Pas kësaj, sipas radhës së përcaktuar, rinumërimi do të vazhdojë edhe në komunat e tjera.


