Kosovë Lajme Politikë

Bajrami kërkon rinumërim në të gjithë Kosovën: Kushdo që ka prekur votën duhet të japë përgjegjësi

Pas diferencës së madhe në vota tek disa kandidatë gjatë procesit të rinumërimit të disa vendvotimeve, ka reaguar edhe Hykmete Bajrami e LDK-së.

Bajrami ka kërkuar rinumërim të votave në të gjithë Kosovën dhe reagim të shpejtë nga organet e drejtësisë.

Ajo thotë se ata që kanë prekur votën duhet të japin përgjegjësi para ligjit dhe qytetarëve.

“Kërkoj rinumërimin e votave në të gjithë Kosovën dhe reagim të shpejtë e efikas nga institucionet e drejtësisë.
Kushdo që ka prekur votën duhet të japë përgjegjësi para ligjit dhe para qytetarëve”, ka shkruar Bajrami në Facebook teksa ka publikuar edhe nenin 216 ku thuhet se “personi që shton, heq ose fshin votat apo nënshkrimet dënohet me 1 deri në 3 vjet burgim, ndërsa nëse kjo vepër penale kryhet nga ndonjë anëtar i KQZ-së ose person tjetër në keqpërdorim të detyrës zyrtare mund të dënohet deri në 5 vjet”.

Rinumërin të votave në të gjithë Kosovën kërkoi sot edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai tha se procesi i këtyre zgjedhjeve është tashmë i lënduar dhe është shprehur i habitur se si deri tani Prokuroria nuk është vënë në lëvizje.

Ndërsa, nga Partia Demokratike e Kosovës, parti ku dhe është dallimi i madh i votave tek disa kandidatë, kanë deklaruar se indikacionet për cenim apo manipulim të votave janë të papranueshme.

Tutje thonë se PDK është e përkushtuar për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektim të votës.