Procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet parlamentare ka prodhuar diferenca jo të vogla për disa kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, pas përfundimit të rinumërimit në 19 komuna, disa kandidatë kanë humbur një numër të konsiderueshëm votash krahasuar me rezultatet preleminare.
Nga tabela e publikuar, kandidati për deputet nga PDK, Fetah Paçarizi rezulton me humbjen më të madhe, pasi ka 2 mijë e 180 vota më pak pas rinumërimit. Po ashtu, kandidati tjetër për deputet Nait Hasani ka humbur 1,101 vota, shkruan Reporteri.net.
Humbje të votave kanë pësuar edhe kandidatë të tjerë të kësaj partie. Arianit Çollaku është minus 855 vota, Kujtim Gashi është 790 vota më pak, Luljeta Veselaj Gutaj me 674 vota më pak, Enver Hoxhaj me 669 vota më pak, si dhe Xhavit Haliti me 596 vota më pak dhe Fadil Demaku ka 526 vota më pak.
Kryesisht këto rezultate kanë dalë pas rinumërimit të votave në komunën e Prizrenit.

Ndërsa, deri te rinumërimi i votave të tanishme rezulton se kandidati i PDK-së, për deputet, Uran Ismaili ka qenë më i dëmtuari, edhe i janë shtuar më së shumti vota pas rinumërimit.
Uran Ismailit i janë shtuar saktësisht 285 vota, pas tij vijnë Arian Tahiri me plus 227 vota, Përparim Grupa plus 203 vota, Vlora Çitaku plus 173 vota, Mërgim Lushtaku plus 136 vota, Jona Hoxhaj plus 130 vota, Elmi Reçica plus 126 vota dhe Eman Rrahmani plus 119 vota.

