Të shtunën, më 3 janar në mëngjes, në tea room-in e Mar-a-Lago-s, klubit floridian të Donald Trumpit, Marco Rubio qëndron në heshtje pranë presidentit, përballë gazetarëve. Hedh vështrimin djathtas e majtas, duke u lëkundur nga një këmbë te tjetra duke e fshehur me zor emocionin. Sekretari amerikan i Shtetit po sheh të realizohet ëndrra e jetës së tij: rënia e diktatorit venezuelian Nicolás Maduro, i rrëmbyer gjatë natës dhe i transferuar në Nju Jork për t’u gjykuar për trafik droge.
Sepse, duke ndjekur drejtpërdrejt operacionin, Rubio nuk e ka përfytyruar thjeshtë Venezuelën duke rënë në kthetrat e Shteteve të Bashkuara. Përtej, ai ka parë se po vinte radha e Kubës, aleates historike të Karakasit. “Po të jetoja në Havanë dhe të isha në qeveri, do të isha së paku i shqetësuar”, tha më pas diplomati me një buzëqeshje që tregonte kënaqësinë e atij që ka vënë në lëvizje një mekanizëm të pakthyeshëm.
Ky grusht force spektakolar mban firmën e tij. Është hakmarrja e tij personale: ajo e fëmijës së të mërguarve kubanë ndaj regjimeve komuniste të kontinentit, por edhe hakmarrja e skifterit neokonservator kundër krahut izolacionist të administratës Trump.
Prej disa muajsh, sekretari i parë i Shtetit në historinë amerikane me origjinë latine është shndërruar në një hallkë thelbësore të aparatit presidencial. I katapultuar tashmë në krye të diplomacisë, por njëjohësisht edhe këshilltar për sigurinë kombëtare, drejtor i Arkivave Kombëtare, administrator i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) – përpara se kjo të zhdukej – ai është tani edhe dirigjenti i ofensivës amerikane në “hemisferën perëndimore”.
Strategjia e sigurisë kombëtare, e publikuar në nëntor, që shpall ringjalljen e doktrinës Monroe – e ripaketuar si doktrina “Donroe” – e cila predikon dominimin e Shteteve të Bashkuara mbi kontinentin amerikan, është shembulli më domethënës i ndikimit të konsiderueshëm që Rubio ka fituar brenda kabinetit presidencial. “Ishte mirë, apo jo? E kam shkruar vetë”, u mburr ai gjatë konferencës së tij për shtyp në fund të vitit, përpara se të tërhiqej duke theksuar se thjeshtë kishte “marrë pjesë” në hartimin e tij – plotësisht i vetëdijshëm se Trump nuk duron tjetër mendjemadh përveç vetes. Pasi ka drejtuar ecurinë e fatit të Venezuelës, është sërish ai që u ngarkua të ushtrojë presion mbi Danimarkën për t’i zhvatur Groenlandën, pjesën që mungon në hemisferën perëndimore të fantazmuar të perandorit të ri amerikan.
NË ZEMËR TË REAKTORIT
Në moshën 54-vjeçare, Marco Rubio sapo ka kapërcyer edhe një shkallë tjetër në ngjitjen e tij magjepsëse drejt pushtetit. Kur ishte vetëm 27 vjeç ai u zgjodh këshilltar bashkiak i West Miami-t. Më pas qëndroi për tetë vjet në Dhomën e Përfaqësuesve të Floridës, të cilën e kryesoi nga viti 2006 deri në 2008, para se të zgjidhej senator amerikan në vitin 2010 dhe të kandidonte në primaret republikane në vitin 2016. Tashmë kanë mbetur larg kohët e fyerjeve të pakursyera gjatë asaj fushate të ashpër që e vuri përballë Donald Trumpit.
Shefi i tij i ardhshëm i kishte ngjitur nofkën përçmuese “Little Marco” (“Marco i vogël”); ai ia kishte kthyer me “mashtrues”, “dorë e vogël”. Sot, Trump e quan me përkëdheli “kid”-in dhe e sheh si një trashëgimtar të mundshëm për vitin 2028. Me përvojë, besnik dhe i besueshëm, Rubio ka ditur të depërtojë në rrethin e ngushtë të presidentit. Duke siguruar postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare, ai ka marrë një zyrë në Shtëpinë e Bardhë, në zemër të reaktorit. Aty, ai ka mundur t’i flasë drejtpërdrejt në vesh Trumpit. Megjithatë ky diplomat mbetet një nga të paktët skifterë neokonservatorë në një administratë të mbushur me kundërshtarë të zjarrtë të aventurave ushtarake jashtë vendit. “Ai ka mbijetuar, ndërkohë që shumica e skifterëve që silleshin rreth presidentit gjatë mandatit të tij të parë u shkarkuan”, vëren me habi Charles Kupchan, studiues në qendrën e mendimit Council on Foreign Relations, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare nën Bill Clintonin dhe Barack Obamën.
E kaluara e tij si mbrojtës i flaktë i atlantizmit, i rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në skenën botërore, i të drejtave të njeriut dhe i demokracisë, nuk ishte e përshtatshme që ai të përqafonte projektin fillestar të Trumpit: një tërheqje nacionaliste brenda kufijve dhe një ndjekje të njëanshme të interesave amerikane. Përballë kampit izolacionist, që e sheh Irakun si shembullin absolut për t’u shmangur, ky admirues i George W. Bushit e ka mbështetur pushtimin e vitit 2003 (para se të tërhiqej nga ky qëndrim në vitin 2015). “Bota është në një gjendje më të mirë që kur Saddam Husseini nuk është më”, kishte deklaruar ai.
Në vitin 2015, ai foli para Council on Foreign Relations: “Amerika është fuqia e parë në histori e motivuar nga dëshira për të zgjeruar lirinë, dhe jo thjesht për të zgjeruar territorin e saj”, thoshte në atë kohë. Rubio përcaktoi atëherë tre shtylla të politikës së jashtme: fuqinë ushtarake, mbrojtjen e tregtisë së lirë dhe një “qartësi morale” në “mbrojtjen e lirisë”.
Në Senat, ai ka ngritur gjithnjë zërin kundër Rusisë, Kinës, Iranit. Dhe Venezuelës – obsesionit të tij. Ai i drejtoi një kërcënim të hapur Maduro-s që në vitin 2019, duke publikuar në rrjetet sociale foto të diktatorëve të rrëzuar, përfshirë tiranin libian Gadafi. Qëndrimet e tij të asaj kohe për emigracionin qenë diametralisht të kundërta me mizorinë e dëbimeve të kryera nga qeveria aktuale. Në autobiografinë e tij “An American Son”, botuar në vitin 2012, djali i emigrantëve mbron ata që kanë hyrë ilegalisht në vend: “Ata bëjnë pikërisht atë që do të bënim edhe ne, nëse do të jetonim në një vend ku nuk do të mund të ushqenim familjet tona.”
E megjithatë, sekretari i Shtetit është konvertuar në fenë MAGA. Nën shtysën e Elon Musk-ut ai drejtoi shkatërrimin e USAID-in, agjencisë amerikane të ndihmës së jashtme, kreu një spastrim masiv të trupës diplomatike, shfuqizoi departamentet e ngarkuara me promovimin e të drejtave të njeriut, i dha goditjen përfundimtare radios Voice of America dhe i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga UNESCO. Dikur mbështetës i ndihmës për Kievin, ai e ka rishikuar qëndrimin e tij – “Shtetet e Bashkuara po financojnë një ngërç në Ukrainë” – dhe ka pranuar që të dërguarit proruse të presidentit, miku i tij Steve Witkoff dhe dhëndri Jared Kushner, të marrin frenat e çështjes.
Senatori demokrat Chris Van Hollen, i cili kishte konfirmuar emërimin e tij duke besuar se ai do të mbronte “demokracinë dhe të drejtat e njeriut jashtë vendit dhe respektimin e Kushtetutës brenda vendit”, është i tërbuar: “Ju keni bërë krejt të kundërtën”, i ka thënë ai. Por Rubio ka marrë atë që donte: të fitonte bekimin e ideologëve MAGA. “Ai do të jetë Kissingëri i kohës sonë”, parashikoi Stephen Miller, zëvendësshef kabineti i presidentit, në maj…
Një metamorfozë e vërtetë ideologjike? “Për t’u bërë sekretar Shteti i Trumpit, atij i duhej të ndryshonte qëndrimet e tij në politikën e jashtme”, vlerëson Charles Kupchan. “Ai ka ndikim: kjo shihet në Ukrainë, ku ai ka ndihmuar që plani i paqes të kalojë nga një qëndrim prorus në një tekst disi më të balancuar, dhe po ashtu në Venezuelë.”
T’I JEPET FUND REGJIMEVE SOCIALISTE
Si e ka bindur diplomati kryesor shefin e tij që të rrëzojë Maduron? “Presidenti ishte tashmë i dyzuar mes forcash kundërshtuese”, analizon studiuesi. “Ai është thellësisht i lidhur me një retorikë neo-izolacioniste, pranë ideve të zëvendëspresidentit J. D. Vance, por edhe i ndjeshëm ndaj diskurseve neo-imperialiste, më tepër të mishëruara nga sekretari i tij i Shtetit”. Këto aspirata janë bashkuar në dosjen venezueliane, duke e shndërruar atë në një “operacion të ruajtjes së rendit”, kundër një trafikanti droge, më tepër sesa në një ndryshim regjimi. “Kjo u lejon ta justifikojnë ofensivën si një vazhdim të premtimit të Trumpit: ‘ta bëjmë Amerikën sërish të sigurt’”, vëren revista Politico.
Një kompromis i dukshëm edhe në zgjedhjen për të lënë në këmbë qeverinë çaviste, për sa kohë që ajo i bindet Uashingtonit. Ndërkohë, Rubio, skifteri hispanofon, trashëgon detyrën e administrimit të Venezuelës nga distanca.
Fëmija i emigrantëve kubanë, i rritur në gjirin antikomunist të Miamit, me gjasë do të kishte preferuar ta shihte regjimin të shembur. Marco Rubio është biri i një babai, Mario, banakier, dhe i një nëne, Oriales, punëtore pastrimi, të strehuar në Florida në vitin 1956. Dhe ka një ide fikse: t’u japë fund regjimeve socialiste. “Çdo gjë që është e dëmshme për një diktaturë komuniste është diçka që unë e mbështes”, kishte deklaruar ai në vitin 2019.
Në fund të vitit 2014, ai ishte kundër normalizimit të marrëdhënieve me Kubën nën presidencën e Obamës. Dhe në vitin 2015, e nisi fushatën e tij presidenciale nga Torre de la Libertad në Miami, një monument simbol i mërgimtarëve kubanë. Gradualisht, ai u përqendrua te Venezuela. Në fillim të vitit 2017, Rubio i prezantoi Trumpit bashkëshorten e Leopoldo López-it, atëherë i burgosur politik, dhe u bëri thirrje kompanive dhe qeverive të huaja të ndërprisnin çdo tregti me Karakasin. Në vitin 2019, ai bashkë-sponsorizoi një projektligj që synonte rivendosjen e demokracisë atje dhe e bindi Trumpin ta njihte opozitarin Juan Guaidó si president legjitim. Megjithatë, objektivin e tij kryesor nuk e humbi kurrë nga sytë: Havanën. Një larje hesapesh sa politike aq edhe intime, që ka formësuar historinë e tij. Por ai e kishte kuptuar se rruga drejt fitores në Kubë kalonte përmes Karakasit.
ZËVENDËSMBRET I RI I KARAKASIT
Për njëzet vjet, Hugo Chávez dhe Fidel Castro ndërtuan një partneritet të paprecedentë, që lidhi përfundimisht fatin e vendeve të tyre: Venezuela, zotëruese e rezervave më të mëdha të naftës në planet, dërgonte 100 000 fuçi nafte në ditë drejt ishullit të Karaibeve. Në këmbim, Havana – çerdhe mjekësh dhe spiunësh, ekspertë në ruajtjen e pushtetit autoritar – infiltroi 20 000 agjentë në aparatin shtetëror venezuelian dhe eksportoi kulturën e saj të represionit.
Për Kubën, kjo ishte çështje mbijetese: kjo naftë e subvencionuar paguante elektricistët, mjekët, profesorët. Për Venezuelën, ishte një sigurim jete politik. Havana e shpëtoi regjimin gjatë grushtit të shtetit kundër Chávez-it në vitin 2002 dhe gjatë protestave kundër Maduro-s në vitet 2014 dhe 2017. Por ndërsa “Comandante”-ja venezuelian vdiq në vitin 2013, çmimi botëror i naftës filloi të binte ndjeshëm. Karakasi, që kishte vënë gjithçka në bast mbi këtë burim pa riinvestuar kurrë në infrastrukturë, mbeteti i rraskapitur. Prodhimi i naftës u rrokullis poshtë e më poshtë. Regjimi kastrist, që i pati mbijetuar gjashtëdhjetë vjet bllokadës amerikane, po mbytej ngadalë – jo për shkak të Uashingtonit, por të aleatit të tij në agoni.
Rubio e nxori mësimin. Nuk ka nevojë për pushtim. Duke mbytur Venezuelën, vret Kubën. Ai infuencoi që të ndalohen anijet cisternë venezueliane. Vendosi sanksione ndaj atyre që organizonin tregtinë e arit të zi mes Karakasit dhe Havanës. Dhe më 3 janar, pasi u hoq qafe Maduro, ai shpalli se Amerika do marrë nën kontroll industrinë e naftës së vendit. Më 4 janar, Donald Trump, nga Air Force One, deklaroi qetësisht: “Kuba është gati të bjerë. Pa naftën venezueliane, ata nuk mund të qëndrojnë. Nuk mendoj se kemi nevojë të veprojmë”.
Pastaj, më 11 janar, ai ribotoi në rrjetin e tij Truth Social një mesazh ku e shpalli sekretarin e tij të Shtetit si presidentin e ardhshëm kuban. Rubio, tashmë zëvendësmbreti i ri i Karakasit, përgatitet për këtë tranzicion përfundimtar. Ëndrra e tij e fëmijërisë është shndërruar në politikë shtetërore.
Në Mar-a-Lago, ndërsa Trump fliste, Marco Rubio shijonte në heshtje, duke u lëkundur nga një këmbë te tjetra, fitoren e tij të dyfishtë: fati i Kubës po vulosej përmes një dominimi të ushtruar nga larg – atij të imperializmit të ri amerikan.
