1 prilli i vitit 2025 ishte fatal për policin Muhamed Lika.
Rreth shtatë minuta para vrasjes, Haki Bela kishte dalë nga lokali i tij “Aksa” dhe ishte nisur drejt stacionit policor. Në atë kohë, polici pritej ta përfundonte ndërrimin e punës dhe të kthehej në banesën e tij.
Ashtu edhe ndodhi.
Të dy u takuan në rrugë, por pa komunikuar. Polici vazhdoi rrugën drejt shtëpisë, ndërsa i akuzuari eci rreth 20 metra në të njëjtin drejtim. Pas rreth 30 sekondash, ai u kthye pas, në drejtim të Muhamed Likës.
Në të njëjtën kohë, polici ishte nën vëzhgimin e dy personave të tjerë.
Shkëlqim Kuka, i ulur në vendin e shoferit, dhe Edmond Lika, në ulësen e pasagjerit të një veture Opel Astra, po e përcillnin atë. Sapo polici kaloi pranë tyre, Edmond Lika kaloi në një veturë tjetër dhe nisi ta ndjekë policin nga pas, duke vozitur me drita të fikura, ndonëse ishte pak para mesnatës.
Ndërkohë, Kuka me Opel Astrën u ndal para hyrjes së banesës.
Më pas, në operacionin e përcjelljes iu bashkua edhe i mituri Rejhan Bela. Ai e ndoqi policin nga një distancë prej 15 deri në 20 metrash, deri në katin e dytë të objektit banesor. Pikërisht aty, policia gjeti katër gëzhoja të kalibrit 9.19 milimetra.
Të shtënat, sipas aktakuzës, i kishte dëgjuar edhe bashkëshortja e policit, e cila ndodhej në banesë duke e pritur Muhamed Likën të kthehej nga puna.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se në orën 22:58, i mituri u largua me vrap nga vendi i ngjarjes, në drejtimin nga kishte ardhur. Aty u takua me Rilind Muratin, i cili i tha: “Bravo, ik”. Më pas, të dy u larguan përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”. Largimi i të miturit u asistua edhe nga Diamant Gashi.
Ndërkohë, Haki Bela, vëllai i të miturit, i cili pak para vrasjes ishte përballur ballë për ballë me policin në rrugë, rreth 14 minuta pas rastit u kthye në vendin e ngjarjes. Ai qëndroi aty për rreth dy minuta dhe më pas u largua.
Pas zhurmës së armës, bashkëshortja e policit doli në korridor e më pas në ballkon. Ajo pa mjekët duke futur në veturë një person të veshur me uniformë policie. Fillimisht, një fqinj i kishte thënë se Muhamed Lika ishte rrëzuar nga shkallët dhe po dërgohej për trajtim. Më pas, vëllai i saj i konfirmoi se ai ishte plagosur.
Ajo shkoi në Emergjencën e Kaçanikut, ku pa mjekët duke i dhënë ndihmën e parë. Rreth mesnatës, nga personeli mjekësor u informua se Muhamed Lika kishte ndërruar jetë.
Pak orë para se bashkëshorti I saj të vdiste, rreth orës 22:45 ajo nga ballkoni I banesës kishte parë se para objektit po qëndronte një veturë nga e cila kishin zbritur dy persona me kapelë në kokë.
Bashkëshortja e policit ka deklaruar gjithashtu se Muhamed Lika kishte ndjerë se diçka e keqe do të ndodhte. Rreth tre-katër ditë para vrasjes, çifti kishte kaluar pranë lokalit të Haki Belës, ku kishin vërejtur disa persona të grumbulluar. Ajo i kishte thënë: “Për çudi, këta persona janë duke qëndruar së bashku”, ndërsa Muhamedi ishte përgjigjur: “Diçka ka me krisë këtu, se shumë janë duke qëndruar bashkë”.
Në deklaratën e saj, ajo ka thënë se Rejhan Belën e njihte si person problematik, i njohur për organet e drejtësisë dhe i dënuar më herët për veprën penale të dhunimit. Ndërsa Haki Belën e kishte njohur për shkak të punës së tij në market dhe në një filial bankar.
Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Gazeta, nga analizimi i telefonave të të akuzuarve është vlerësuar se ekziston mundësia që disa prej tyre të jenë radikalizuar ose shtyrë drejt radikalizimit fetar, potencialisht përmes kontakteve apo përfshirjes në grupe ekstremiste, përfshirë edhe ISIS-in.
Të gjashtë të akuzuarit kishin qëndruar në arrati për disa ditë, në gjykatë Haki Bela ka deklaruar në gjykatë se ka pasur marrëdhënie përshëndetëse me familjen e policit Lika, duke pretenduar se i vetmi lidhje e tij me rastin është afërsia e lokalit të tij me vendin e ngjarjes dhe fakti se atë rrugë e frekuenton çdo ditë.
Vatan Çaka ka deklaruar se për rastin ka marrë vesh nga rrjetet sociale dhe se kishte dalë në vendngjarje ta shohë çfarë ka ndodhur. Ai ka pretenduar se nuk mund t’ia bënte një gjë të tillë një veterani të UÇK’së, meqë edhe prindi i tij është veteran.
Edmond Lika ka thënë se ai dhe Shkëlqim Kuka kishin qëlluar rastësisht në vendngjarje.
Rilind Murati e Shkëlqim Kuka s’kanë deklaruar gjë tjetër veçse janë të pafajshëm.
Në vijim mund ta ndiqni videon e përgatitur nga gazetarja e Insajderit, Dijellza Preniqi, në të cilën paraqiten në detaje ato që thuhet në aktakuzë.
