Botë Lajme

Përplasja për Groenlandën/ Trump vendos tarifa ndaj shteteve europiane, koha që Danimarka të japë diçka mbrapsh

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e një pakete të re tarifash ndaj një sërë vendesh që eksportojnë mallra në SHBA, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt.

Trump thotë se këto tarifa do të mbeten në fuqi deri “në momentin kur të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe totale të Groenlandës” nga Shtetet e Bashkuara.

Duke shkruar në rrjetet sociale, Trump thekson se vende si Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do të “tarifohen me 10%” për “çdo lloj malli” që dërgojnë në SHBA.

Sipas tij, nga 1 qershori kjo tarifë do të rritet në 25%, shkruan Trump në platformën Truth Social.

Tarifat janë taksa mbi mallrat e importuara dhe zakonisht paguhen ndaj qeverisë nga kompanitë që sjellin produkte të huaja në vend.

Në postim në Truth Social, Trump thotë se SHBA-ja ka subvencionuar Danimarkën dhe Bashkimin Europian për shumë vite, duke mos u vendosur tarifa doganore.

Presidenti shton se pas shekujsh “është koha që Danimarka të japë diçka mbrapsht”.

“Paqja botërore është në rrezik! Kina dëshiron Groenlandën dhe Danimarka s’mund të bëjë asgjë për këtë”, shkruan Trump, duke pretenduar se Groenlanda mbrohet vetëm nga dy slita me qen.

Ai vijon duke thënë se Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda “kanë udhëtuar drejt Groenlandës për qëllime të panjohura” dhe se po luajnë një “lojë shumë të rrezikshme”.

“Duhet të merren masa të forta që kjo situatë potencialisht e rrezikshme të përfundojë shpejt dhe pa asnjë dyshim”, shton Trump.