Vota për kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren në zgjedhjet e 28 dhjetorit është devijuar ndjeshëm në numërimin e parë, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga procesi i rinumërimit të 109 vendvotimeve deri tash, vetëm në këtë komunë janë të paktën pesë kandidatë me më shumë se nga 1000 vota të numëruara rrejshëm paraprakisht.
Listës i prin Fetah Paçarizi. Në rinumërimin e deritashëm ai del se në Qendrën Komunale të Numërimit kishte përfituar 3334 vota më shumë se që kishte në realitet.

Gjatë numërimit fillestar del se 1706 vota i janë shtuar edhe Nait Hasanit. Arianit Çollakut i ishin shtuar 1197, Kujtim Gashit 1181 e Luljeta Veselaj Gutajt 1027.
Ndërkaq më së shumti vota i ishin hequr rrejshëm në numërimin e parë Uran Ismailit (445), Arian Tahirit (331), Vlora Çitakut (262), Përparim Grudës (240) e Jona Hoxhajt (206).

