Botë Lajme

‘Groenlandën e synon Rusia dhe Kina’/ Komandanti ushtarak i Danimarkës në Arktik hedh poshtë pretendimet e Trump

Komandanti më i lartë ushtarak i Danimarkës në Arktik kundërshtoi pretendimet se Groenlanda po përballet me një kërcënim të menjëhershëm sigurie nga Rusia ose Kina, duke minuar një narrativë të përsëritur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.

“Jo. Ne nuk shohim një kërcënim nga Kina apo Rusia sot”, tha gjeneralmajori Søren Andersen, komandant i Komandës së Përbashkët Arktike të Danimarkës në Greonlandë, në një intervistë me Rrjetin Global të Gazetarëve Axel Springer, pjesë e të cilit është POLITICO. “Por ne shqyrtojmë një kërcënim të mundshëm dhe për këtë po stërvitemi.”.

Andersen, i cili ka kryesuar Komandën e Përbashkët të Arktikut që nga viti 2023, theksoi se aktiviteti i shtuar ushtarak danez dhe i aleatëve rreth Grpenlandës nuk është një përgjigje ndaj një rreziku të menjëhershëm, por përgatitje për eventuale të ardhshme. 

Sapo të mbarojë lufta në Ukrainë, tha ai, Moska mund t’i ridrejtojë burimet ushtarake në rajone të tjera. “Në fakt, pres që të shohim burime ruse që po merren nga teatri përreth Ukrainës në teatro të tjerë”, tha Andersen, duke treguar për Detin Baltik dhe rajonin e Arktikut.

Ky vlerësim ka nxitur vendimin e Danimarkës për të zgjeruar ushtrimet dhe për të ftuar aleatët evropianë të veprojnë në dhe përreth Groenlandës në kushte të ashpra dimërore, pjesë e asaj që Kopenhageni e ka përkufizuar si forcim të krahut verior të NATO-s. Trupa nga disa vende evropiane janë vendosur tashmë në kuadër të ushtrimit të Danimarkës “Operacioni i Qëndrueshmërisë Arktike”, i cili përfshin komponentë ajrorë, detarë dhe tokësorë.

Vërejtjet bien ndesh me pretendimet e përsëritura të Trump se Groenlanda është nën presion aktiv nga Rusia dhe Kina, dhe këmbënguljen e tij se ishulli është jetik për sigurinë kombëtare të SHBA-së. 

“Ndërkohë, keni shkatërrues dhe nëndetëse ruse, si dhe shkatërrues dhe nëndetëse kineze kudo”, u tha Trump gazetarëve të dielën, në lidhje me përpjekjen e tij për ta bërë Groenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara. “Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë.”

Trump ka argumentuar se Uashingtoni nuk mund ta përjashtojë përdorimin e forcës për të siguruar interesat e veta, komente që kanë alarmuar udhëheqësit danezë dhe të Groenlandës.

Andersen nuk pranoi të angazhohej drejtpërdrejt në këto deklarata, duke theksuar në vend të kësaj, unitetin e NATO-s dhe bashkëpunimin e gjatë me forcat amerikane që tashmë janë të stacionuara në Bazën Hapësinore Pituffik. Ai gjithashtu hodhi poshtë skenarët hipotetikë që përfshijnë konflikt midis aleatëve, duke thënë se nuk mund ta imagjinonte një vend të NATO-s të sulmonte një tjetër.

Pavarësisht tensioneve politike në rritje me Uashingtonin, Andersen tha se Shtetet e Bashkuara u ftuan zyrtarisht të merrnin pjesë në stërvitje. “Shpresoj gjithashtu që të kemi trupa amerikane së bashku me ato gjermane, franceze ose kanadeze, ose çfarëdo force tjetër që do të stërvitet, sepse mendoj se duhet ta bëjmë këtë së bashku.”