Përpara protestave të planifikuara në Danimarkë dhe Groenlandë, një delegacion dypartiak i ligjvënësve amerikanë, riafirmoi kundërshtimin ndaj dëshirës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të kontrolluar ishullin Arktik, në një konferencë për shtyp në Kopenhagen të shtunën.
“Groenlanda është pjesë e Danimarkës. Danimarka është aleati ynë në NATO”, tha senatori demokrat Chris Coons. “Ky duhet të jetë fundi i këtij diskutimi, sipas mendimit tim.”
Trump ka argumentuar vazhdimisht se kontrolli amerikan i Groenlandës, është i nevojshëm për të parandaluar Rusinë dhe Kinën të zgjerojnë ndikimin e tyre në rajon. Groenlanda, një territor kryesisht autonom i Arktikut, është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Kohët e fundit ai kërcënoi vendet që kundërshtojnë planet e tij me tarifa ndëshkuese.
Coons i përshkroi deklaratat e Trump si “jo konstruktive”, duke paralajmëruar se trajtimi aktual i Danimarkës mund të shkaktojë dëme afatgjata në marrëdhëniet dypalëshe.
Senatori, i cili përfaqëson shtetin e Delaware, pyeti se si mund t’i besohej SHBA-së nëse aleati i NATO-s, Danimarka, lihej në baltë.
11 ligjvënësit që udhëtuan për në Danimarkë u përpoqën ta bënin të qartë se planet e Trump do të hasnin rezistencë edhe në SHBA. Grupi përfshinte vetëm dy përfaqësues nga Partia Republikane e Trump.
Disa anëtarë evropianë të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, po dërgojnë ekipe të vogla ushtarake në vend për të shqyrtuar aftësinë e NATO-s për të mbrojtur rajonin e Arktikut, si pjesë e një misioni zbulimi të udhëhequr nga Danimarka.
Demonstrata kundër përpjekjes së Trump për të blerë ishullin e pasur me burime, do të zhvillohen të shtunën në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, si dhe në Kopenhagen.
Poul Johannesen, organizatori i iniciativës qytetare të Groenlandës, “Larg duart nga Kalaallit Nunaat”, tha se grupi kërkon “respekt për të drejtën e Groenlandës për vetëvendosje dhe respekt për popullin e Groenlandës”.
“Kjo nuk është vetëm një luftë për Groenlandën, por edhe për të gjithë botën”, shtoi ai.
Grenlanda quhet Kalaallit Nunaat në Groenlandisht, që përkthehet në “Toka e Groenlandezëve”.
Bisedimet e fundit për krizën në Uashington midis Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe Groenlandës nuk arritën të ngushtonin mosmarrëveshjet.
