Sindikata e Policisë së Kosovës, ka thënë se çdo lajmërim i rremë ndaj zyrtarëve policorë duhet të ndëshkohet për lajmërim të rremë.
Nga Sindikata, është thënë edhe se, nëse IPK vazhdon punën në mënyrë profesionale dhe ndaj çdo lajmërimi të rremë ngrihet kallëzim penal kundër personave përgjegjës, do të kemi shumë më pak raste të tilla në të ardhmen.
Komunikata:
Sindikata e Policisë së Kosovës konstaton se çdo lajmërim i rremë ndaj zyrtarëve policorë duhet të ndëshkohet për lajmërim të rremë
Sindikata e Policisë së Kosovës përgëzon punën profesionale të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) lidhur me rastin e fundit, ku një qytetar kishte lajmëruar rrejshëm IPK-në, duke pretenduar se ishte keqtrajtuar nga zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në afërsi të Urës së Bistricës në Leposaviq, më datë 13 janar 2026.
Pas pranimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe zhvillimit të hetimeve përkatëse, IPK ka konstatuar se pretendimet e ankuesit nuk kishin bazë faktike dhe ligjore. Si rezultat i hetimit, është vërtetuar se qytetari ka dezinformuar dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal për lajmërim të rremë.
Sindikata e Policisë së Kosovës është e bindur se, nëse IPK vazhdon punën në mënyrë profesionale dhe ndaj çdo lajmërimi të rremë ngrihet kallëzim penal kundër personave përgjegjës, do të kemi shumë më pak raste të tilla në të ardhmen.
Po ashtu, punonjësit e Policisë së Kosovës nuk do të ndihen të pambrojtur dhe do të kenë më shumë besim në punën e IPK-së.
Andaj, ne si Sindikatë e Punonjësve të Policisë së Kosovës konsiderojmë se kjo qasje e IPK-së është e domosdoshme si mburojë për çdo zyrtar policor dhe kontribuon në rritjen e besimit në institucionet tona mbikëqyrëse.






