Në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë është paraqitur për kontroll një dërgesë mallrash, për të cilën gjatë verifikimit dokumentar dhe ekzaminimit fizik janë konstatuar mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike.
Sipas Doganës, mallrat ishin deklaruar si lëndë e parë për prodhim, mirëpo gjatë ekzaminimit të detajuar – përfshirë kontrollin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera – është konstatuar se bëhej fjalë për produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë.
Me këtë deklarim të pasaktë, dyshohet se është tentuar shmangia e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), ndërkohë që nuk është paraqitur as dokumentacioni shtesë i nevojshëm, përfshirë certifikatën për import të produkteve farmaceutike të gatshme.
Vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara vlerësohet në rreth 49 mijë euro.
Rasti është cilësuar si kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të deklarimit të pasaktë të të dhënave doganore me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e funksionit rregullator dhe fiskal të shtetit, mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e keqpërdorimeve gjatë importit të produkteve farmaceutike.






