Një fëmijë i lindur në vitin 2013 është paraqitur rreth orës 19:55 në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, pasi ishte goditur nga një automjet.
Sipas njoftimit të spitalit, ekipi mjekësor ka ndërhyrë menjëherë duke ofruar ekzaminim emergjent dhe masa reanimatore. Në bashkëpunim me Shërbimin e Radiologjisë, fëmijës i është kryer tomografia e kompjuterizuar (CT), si dhe janë realizuar analizat laboratorike, ndërsa është konsultuar edhe mjeku kujdestar ortoped.
Nga vlerësimet mjekësore, fëmija rezulton të jetë jashtë rrezikut për jetë. Megjithatë, ai është referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për konsultë të mëtejshme me specialistët e Neurokirurgjisë dhe Kirurgjisë Maksilofaciale.





